Basketbollisti Drilon Hajrizi shpallet sportisti i vitit 2022 në Mitrovicë
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, ka mbajtur ceremoninë e shpalljes së klubeve sportive dhe sportistit më të mirë për vitin 2022.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit, Vesa Broja, drejtorë të drejtorive komunale, sportdashës, punëtorë të sportit, si dhe përfaqësuesit e klubeve sportive dhe sportistët që u shpallën më të mirët për vitin 2022. Në fjalën e tij nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, pasi i përshëndeti të pranishmit, ka thënë se ndihet i privilegjuar që ndodhet në mesin e sportistëve, për të cilët shprehu mirënjohjen më të lartë për kontributin e tyre në ngritjen e epitetit të Mitrovicës, si qytet i kulturës, artit dhe sportit.
“Për mua sot është një emocion i jashtëzakonshëm, sepse në vitin 2008 isha fitues i çmimit ‘Shpresë e Vitit’, në qytetin e Mitrovicës, i cili ishte një motiv dhe vullnet për mua që të kontribuoj akoma më shumë për sportin dhe qytetin tim. Duke ju dëshiruar suksese akoma më të mëdha, ju premtoj se mbështetja institucionale në ngritjen dhe avancimin e sportit në qytetin tonë nuk do të mungojë asnjëherë”, është shprehur nënkryetari Tahiri, i cili ka falënderuar edhe tifozerinë më të madhe kosovare “Torcida”, të cilët me mbështetjen e tyre i japin frymë jetës sportive në qytetin e Mitrovicës.
Ndërsa, drejtoresha e DKRS-së, Valdete Idrizi, ka bërë të ditur se do të angazhohet maksimalisht në mbështetje të klubeve sportive, ku prioritet i kësaj drejtorie është që Mitrovica të jetë kryeqytet i sportit në Kosovë.
Juria profesionale, sportist të vitit 2022 shpalli Drilon Hajrizin, basketbollistë në klubin KB “Trepça”, ndërsa çmimi “Lah Nimani”, i është ndarë veteranit dhe futbollistit të mirënjohur, Enver Baliu, ndërsa klubi sportiv i vitit 2022 u shpall klubi i basketbollit “Trepça”. Në këtë festë jubilare janë ndarë mirënjohje të veçanta edhe për shumë personalitete që kanë kontribuar ndër vite për zhvillimin e sportit në Mitrovicë.