Basketbollisti i NBA-s pas dy vjetësh rikthehet në parket
Kur u lëndua më shumë se dy vite më parë, të gjithë menduan se karriera e tij përfundoi përpara kohe. Por kur kanë kaluar dy vite, 9 muaj e tre e dy ditë, Lonzo Ball u kthye sërish në parket për Chicago Bulls në sfidën e prag sezonit në NBA kundër Minnesotas.
Një “mrekulli” e vërtetë sportive dhe mjekësore, pasi asnjë atlet tjetër profesionist nuk kishte arritur të kthehej sërish në aktivitet pas një dëmtimi të këtij lloji. Në sezonin e tij të parë me Bulls, pas transferimit nga Los Anxheles Lejkërs, pikërisht më 14 janar të vitit 2022, Lonzo Ball theu gjurin e majtë në një ndeshje të NBA, duke këputur edhe ligamentet. Pas testeve mjekësore, prognoza ishte dëshpëruese dhe të gjithë e cilësuan të përfunduar karrierën e tij si profesionist.
Por basketbollisti, 27-vjeçar nuk u dorëzua. Pas tre operacionesh që rindërtuan gjurin e majtë, ligamentet e tij dhe një periudhe të gjatë rikuperimi, ai arriti të kthehet sërish në parket. Askush përpara tij nuk e kishte bërë një gjë të tillë pas një dëmtimi të njëjtë në sportin profesionist.
Në ndeshjen e parë, ai luajti 15 minuta, ndërsa shënoi edhe 10 pikë për Bulls. Një histori sportive, por edhe njerëzore ajo e Lonzo Ball, që gjithashtu tregon se sa ka përparuar mjekësia sportive.