Basri Ibrahimi shkarkohet nga pozita e kryeshefit të “Trepçës’, ky është reagimi i tij

15 prill 2020 | 16:00

Bordi i përkohshëm i ndërmarrjes “Trepça” ka shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje, Basri Ibrahimin.

Ky i fundit në një prononcim për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije se për shkarkimin e tij është njoftuar nga mediet.

Ibrahimi shkarkimin e tij e ka quajtur politik dhe të pabazë ligjore.

“Fillimisht u njoftova nga ju mediet për shkarkimin tim dhe tani sapo më erdhi vendimi. Nuk kam bërë asnjë shkelje menaxheriale dhe as ligjore. Në kohën time prodhimi ka qenë më i lartë, ndërkaq arsyet financiare për paga kanë të bëjnë me krizën globale të pandemisë dhe rrethanave në tregun botëror. Po e përsërisë se prej se jam në krye të kësaj detyre prodhimi është rritur 28 për qind. Unë i kam shmangur të gjitha shpenzimet që më takojnë me organogram. Nuk kam pranuar të kem shofer, gjithashtu nuk kam bërë shpenzime në udhëtime. Madje ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka ndikuar që t’i heqë edhe edhe subvencionimet për paga nga Ligji për Buxhet. Këtë e kanë bërë me qëllim vetëm që ta shkaktojnë këtë katrahurë dhe mos të kemi mjete për paga”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se me këtë logjikë, kjo qeveri duke shkarkuar bordet pa bazë ligjore nuk e ka qëllim zhvillimin ekonomik.

“Me këtë logjikë duke na shkarkuar pa bazë ligjore kjo qeveri nuk e ka qëllim zhvillimin ekonomik por kapjen e shtetit dhe institucioneve shtetërore përmes ndërmarrjeve publike”, ka thënë Ibrahimi.

/Epoka e re/A. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja sportive e “Supersport”, Lei Kraja, njihet për format e…