Bastiset Mitsubishi në Gjermani, dyshohet se ka manipuluar me motorët dizelë
Është bastisur filiali i Mitsubishit në Gjermani, me dyshimin e manipulimit me motorët dizelë dhe u nis një hetim kundër selisë së kompanisë në Japoni.
“Një hetim është nisur për dyshimin e arsyeshëm të mashtrimit”, tha Zyra e Avokatisë së Frankfurtit në një deklaratë.
Bastisjet u kryen në gjithsej dhjetë lokacione në disa shtete federale. Siç është raportuar më tej, bastisjet u përqendruan në provat e pajisjeve të manipulimit me motorë dizelë për të treguar më mirë sesa rezultate reale në testet e shkarkimit të gazit.
Hetimi u krye në objektet e Mitsubishit, si dhe të furnizuesve, përfshirë një nga furnizuesit më të mëdhenj gjermanë në industrinë e automobilave “Continental”.
Sipas një deklarate nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, janë prekur motorët dizelë 1.6 dhe 2.2-litër me etiketën Euro 5 dhe 6.
Mitsubishi në Gjermani të martën konfirmoi bastisjen për mediat, por nuk pranoi të japë detaje.
Qysh në vitin 2016, kompania japoneze pranoi se po manipulonte me motorët me qëllim të shfaqjes së rezultateve të rreme në provën e shkarkimit të gazit, por në atë kohë bëhej fjalë për motorët benzinë.
Skandalet që rrethojnë manipulimin e veturave me naftë kanë pllakosur kompanitë gjermane të automjeteve për vite me radhë, veçanërisht grupin Volkswagen./KP