Bastisja e banesës së ish-këshilltarit të Thaçit, reagon KMDLNj
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në lidhje me bastisjen e banesës që i është bërë ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçit, Adil Behramaj nga policë dhe hetues të EULEX-it dhe të Gjykatës Speciale të mërkurën.
Sipas KMDLNj-së, bastisja u bë me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake dhe këtë bastisje e bënë hetues dhe policë të pauniformuar, me rroba civile ndërkaq policët e Policisë së Kosovës siguronin objektin ku bëhej bastisja, pa pasur asnjë qasje në lokacionin e bastisjes.
Sipas informatave të KMDLNj-së, bastisja ka qenë jashtëzakonisht e detajuar duke mos lënë vend pa kontrolluar. “Gjithashtu, sipas informatave të KMDLNj-së gjatë bastisjes nuk janë shkaktuar dëme materiale dhe as nuk është përdorur asnjë lloj force, as fizike e as psikike. Hetuesit dhe policët civilë kanë pasur autorizim dhe leje për bastisje me të cilën janë njoftuar avokati i autorizuar sikur edhe z. Behramaj që nënkupton se janë përfillur të gjitha procedurat ligjore dhe se në rastin konkret nuk mund të flitet për tejkalim të autorizimeve ligjore apo shkelje e të drejtave të njeriut. Pas bastisjes është bërë regjistrimi dhe përpiluar lista e materialeve të konfiskuara siç edhe e parasheh procedura ligjore”, është thënë komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka theksuar se bastisja e banesës së Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Thaçi paraqet vazhdimësi të bastisjeve të ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit të arrestuar, Hashim Thaçi e që është një presion për faktin se shumica e tyre, në një mënyrë apo tjetër janë angazhuar në ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi.
“Disa prej tyre janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit, ka edhe aktakuza të ngritura dhe fitohet përshtypja e një fushate frikësimi, përmes presionit dhe kërcënimit, për ta pamundësuar apo për ta zvogëluar mundësinë e mbrojtjes. Në anën tjetër, po këta hetues dhe po kjo gjykatë nuk lë asnjë gur pa lëvizur për të siguruar dëshmitarë (qoftë edhe të rrejshëm në mesin e tyre edhe nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë) si dhe material akuzues të sajuar nga Prokuroria e Serbisë gjë që krijon të gjitha kushtet për një gjykim të padrejtë, të pabarabartë dhe të ndikuar politikisht dhe grupet e interesit. Bastisja e një udhëheqësi të një mediumi social pikërisht tani dhe në prag të fillimit të gjykimit lehtësisht mund të kuptohet si porosi kërcënuese ndaj të gjithëve që nuk ndajnë mendimin me mënyrën dhe punën që e bënë kjo gjykatë. Aq më parë që liria e shtypit, e shprehjes është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për faktin se është e drejtë elementare e njeriut”, theksohet në komunikatën e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, çdo i arrestuar ka të drejtë për një mbrojtje efektive para gjykatës që nënkupton edhe avokatët për të cilët përcaktohet vet, për ekipin mbështetës ku janë të përfshirë ekspertë të fushave të ndryshme, për ish-bashkëpunëtorë sikur edhe për njohës të të drejtave të njeriut.
“Po të njëjtat të drejta i ka edhe pala e dëmtuar, viktima. Duke krijuar këtë baraspeshë të përfaqësimit dhe të drejtave midis të të akuzuarit dhe viktimave, krijohen kushtet për një proces të drejtë, fer dhe të paanshëm. Ndërkaq, marrja në pyetje, akuzimi, kërcënimi, ngritja e aktakuzave për ish-këshilltarët dhe ish-bashkëpunëtorët, në rastin konkret të presidentit Thaçi e prishë këtë barazi dhe i pakëson të drejtat e të arrestuarit për një mbrojtje efektive. Askush nuk duhet dhe nuk mund të përndiqet për shkak të një të kaluare apo aktivitetit politik e që ndërlidhet me kohën kur ishte presidenti aktual në pozitë përveç nëse ka dëshmi të pakundërshtueshme për përfshirje në ndonjë aktivitet që sanksionohet me ligjet në fuqi. Për këtë fjalën e fundit dhe përgjegjësinë e vetme e ka gjykata kompetente, pas një vendimi të formës së prerë. Informimi i drejtë nuk e pengon asnjë proces gjyqësor, përkundrazi vetëm sa i ndihmon. Në rastin konkret, çdo përpjekje për frikësim apo shantazhim të z. Behramaj për shkak të aktivitetit informativ (nëse është kjo arsyeja e bastisjes) konsiderohet si i papranueshëm, i dënueshëm dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut”, theksohet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka thënë tutje se Gjykata Speciale këtë e ka përkthyer në një vepër; Pengimi i drejtësisë, blerje, ndikim dhe frikësim i dëshmitarëve dhe, mbi këtë bazë përndiqen të gjithë ata që e kanë pasur një të kaluar të përbashkët politike me të arrestuarit.
“Në bazë të monitorimit të punës së Gjykatës Speciale, që nga intervistimi e deri te shqiptimi i dënimit, KMDLNj konstaton se vetëm një numër i vogël i të intervistuarve e bënë publike intervistimin dhe cilësinë në të cilën është ftuar, dëshmitarë, i dyshuar apo si viktimë”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.