Bastisja e shtëpisë dhe ceremonia e varrimit nën vrojtimin e rreptë të autoriteteve jugosllave (5)
Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie
Shkruan: Lulzim Sahiti
Pa asnjë paralajmërim, në mëngjesin e 3 shtatorit të vitit 1987, rreth orës 8:00 forca të mëdha policore kishin mësyrë shtëpinë e familjes së Aziz Kelmendit. Ato e rrethojnë shtëpinë e tij në të katër anët, madje kishin hyrë edhe në dy oborre të fqinjëve të familjes Kelmendi. Disa ishin vendosur në rrugën kryesore dhe një pjesë e tyre në rrugicën përballë. Pak pa ardhur policia, vëllai i Azizit, Isaku, kishte shkuar në Qendrën Arsimore të drejtimeve teknike në Prizren, kurse motra e tij, Melihatja, në Qendrën Arsimore “Dimitrie Tucoviq”. Bastisja e shtëpisë së tyre kishte vazhduar deri rreth orës 10:00, ku me vete kishin marrë vëllanë e madh të Azizit, Hajrizin, po edhe Idrizin. Në shtëpi kishte mbetur vetëm gruaja e Hajrizit, Miradija, së bashku me dy vajzat (Nora dhe Majlinda) si dhe Besimin, vëllanë e vogël të Azizit. Shtëpia ishte bërë e tëra rrëmujë, nuk kishin lënë asnjë skutë pa kontrolluar. Para dyerve të oborrit kishte vazhduar të qëndronte për një kohë të shkurtër një patrullë e policisë. Ndërkohë nga shkolla vijnë Melihatja dhe Isaku, mirëpo askush asgjë nuk dinte se çfarë ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur. Pas intervistimit në SPB të Prizrenit ishte kthyer në shtëpi Idrizi, kurse vetëm pak kohë pas tij ishte liruar edhe Hajrizi. Ata kishin treguar në familje se e tërë biseda në SPB ishte zhvilluar rreth Azizit, por asnjë informatë atyre nuk u kishin dhënë se çfarë ka ndodhur. Pak pas orës 15:00 kishte rënë zilja dhe te dyert kishte dalë Hajrizi. Kishte qenë një kushëri i tyre i cili kishte dëgjuar lajmet e Radio Prishtinës dhe e kishte njoftuar për lajmin e parë zyrtar që kishte dëgjuar lidhur me ngjarjen e Paraqinit. Pas këtij lajmi të transmetuar nga Radio Prishtina, për ta ndarë dhimbjen me familjen Kelmendi kishte shkuar menjëherë xhaxhai i tyre, Syla, më pastaj një nga një shkojnë edhe fqinjët dhe dashamirët e tjerë.
Atë ditë nga Paraqini dy eprorë ushtarakë shoqërojnë dy prindërit e Azizit deri në shtëpi, në Dushanovë. Njëri oficer qëndronte ulur para me Sadikun, kurse tjetri prapa me bashkëshorten e tij. Të katërtit udhëtonin me veturën e Sadikut, mirëpo gjatë gjithë rrugës nuk kishin komunikuar ndërmjet vete fare. Ata rreth orës 17:00 kishin mbërritur në shtëpi. Me të hapur dyert e oborrit nga Sadiku, Melihatja e kishte parë nga dritarja dhe kishte bërtitur “Baba!” Të gjithë në familje ishin stepur. Vërtet kjo ishte një befasi sepse askush nuk e kishte menduar ardhjen e tyre në këtë ditë kritike. Në mbrëmje familjen Kelmendi për ngushëllime e kishte vizituar edhe profesor Xhamajli Berisha. Siç është tradita, familja Kelmendi kishte hapur të pame për ngushëllime duke vendosur karrigen jashtë oborrit para portës hyrëse. Asokohe e pamja ishte shtatë ditë, mirëpo para kohe familja detyrohet të ndërpresë atë duke hequr karrigen, meqë organet e sigurimit jugosllav e detyrojnë.
Më 4 shtator 1987, pas përfundimit të obduksionit në Spitalin Ushtarak në Nish, nën përcjelljen e organeve ushtarake, e nisin kufomën e Azizit për në Prizren. Arkivoli ishte i mbyllur hermetikisht dhe para se t’i jepej lamtumira e fundit të ndjerit, familja kishte tentuar ta bënte hapjen e arkivolit, por strukturat politike të asaj kohe që vepronin në kuadër të Bashkësisë Lokale në Dushanovë nuk kishin lejuar. Mirëpo, për ta parë fytyrën e të ndjerit ishte mundësia ngaqë arkivoli kishte një xham të vogël nga qelqi. Pushteti i asaj kohe, po ashtu, i kishte ndaluar njerëzit të dilnin në varrim, mirëpo me gjithë vështirësitë e kohës kishin marrë pjesë rreth 50 veta që ishin kryesisht miq dhe anëtarë të familjes Kelmendi.
Foto: Varri i dëshmorit Aziz Kelmendi në Arbanë të Prizrenit
Nuk kishte zgjatur shumë kohë dhe nga organizatat e atëhershme shoqërore-politike u mor vendimi që familja e Aziz Kelmendit të lëçitet dhe bojkotohet plotësisht duke filluar nga Bashkësia Lokale e fshatit Dushanovë dhe kudo tjetër ishte propozuar që familja Kelmendi të mbetet e vetmuar. Madje kryesia e KK e LShL e LNÇ-së e Prizrenit shkoi aq larg saqë më 9 shtator 1987 ka marrë iniciativë që familja e Aziz Kelmendit të dëbohet nga Dushanova e Prizrenit dhe të kthehet në fshatin nga ka ardhur.
Në varrim pati më shumë milicë, inspektorë të sigurimit shtetëror, oficerë ushtarakë sesa qytetarë. Atë ditë djali i tezës së Azizit, Ibrahim Bungu, gjatë ceremonisë së varrimit kishte identifikuar Sinisha Didiqin nga Shtimja, inspektor i lartë i Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Përndryshe, ky ishte i biri i Kosta Didiqit që udhëhiqte Sekretariatin e Mbrojtjes Popullore në Ferizaj. Ai me bashkëpunëtorët e vet vrojtonte me kujdes pjesëmarrësit e varrimit. Propaganda jugosllave e bëri të veten duke i frikësuar qytetarët për të mos marrë pjesë në varrim.
Operativistët serbë e shqiptarë nuk qëndronin duarkryq as pas përfundimit të ceremonisë mortore. Vazhduan ndjekjen e pjesëmarrësve që kishin marrë pjesë në varrim. Më 6 shtator 1987 inspektori i Sigurimit Shtetëror, Ramiz Hoxha, kishte shkuar te shtëpia e Ibrahim Bungut në Shtime dhe e kishte marrë atë me vete. Mandej e dërgon në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Ferizaj, ku së bashku me inspektorin tjetër, Nezir Sherifi, e interviston në detaje për Azizin duke e pyetur për kohën sa kishte banuar në familjen e tij, për pjesëmarrje në varrimin etj.
Arrestimi i Sadik Kelmendit dhe bastisja e shtëpisë së tij për herë të dytë
Autoritetet jugosllave, në orët e hershme të mëngjesit, më 5 shtator 1987 e paraburgosin Sadik Kelmendin, të cilin e dërgojnë në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Prizren. Diku në mesditë, Njësia Speciale e Policisë ka bastisur sërish shtëpinë e familjes së Aziz Kelmendit. Në secilën derë e dritare të shtëpisë kishin drejtuar nga një armë. Me këtë rast, gjatë bastisjes policia kishte kontrolluar nënë Salën, tek e cila kishte gjetur një revole të tipit CZ me kalibër 7.65 mm, me dy karikatorë e gjashtë fishekë, armë kjo e bashkëshortit të saj. Atë ditë policia kishte marrë të gjitha fotografitë, albumet, librat, fletoret, shënimet dhe gjësendet e tjera të Azizit. Më 7 shtator 1987, Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prizren, Sadik Kelmendin (47-vjeçar), e dënuan me 60 ditë burg dhe menjëherë e dërgojnë në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit. Atje e mbajnë në burg një muaj dhe sërish e kthejnë në Burgun e Prizrenit, ku përfundon vuajtjen e dënimit të mbetur prej një muaji. Më 8 shtator 1987 merren në bisedë informative të gjithë anëtarët e moshës madhore të familjes Kelmendi. Nëna e Azizit, Sala dhe djemtë e saj: Hajrizi, Idrizi dhe Isaku, të cilët i morën në pyetje në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Prizren. Ndërsa motrën e tyre pesëmbëdhjetëvjeçare, Melihaten, e përjashtuan nga Qendra e Shkollimit të Mesëm “Dimitrie Tucoviq” në Prizren. Gjithashtu, ajo me vendimin e konferencës shkollore të Lidhjes së Rinisë Socialiste të qendrës së shkollës së mesme u përjashtua edhe nga organizata e rinisë. Pushteti i atëhershëm shkoi aq larg saqë për familjen Kelmendi në Dushanovë, kërkoi që të gjithë fshatarët ta izolonin familjen e tyre.
Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prizren më 8 shtator 1987 kishte kërkuar nga SPB në Prizren për zgjerimin e procedurës kundër nënës së Azizit, Salë Kelmendi, për bashkëpjesëmarrje dhe fshehje të armës së zjarrtë. Nuk kishte shkuar shumë gjatë dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prizren, Salë Kelmendin e dënon me 60 ditë burg, e cila dënimin e kishte vuajtur në Burgun e Mitrovicës.
Pas rastit të Paraqinit, filloi shqyrtimi i përshtatshmërisë ideopolitike të anëtarëve të ngushtë të familjes së Aziz Kelmendit. Për Hazir Kelmendin është kërkuar të revokohet nga funksioni i delegatit në Dhomën Shoqërore-Politike të Kuvendit të Komunës së Lipjanit ngase ishte xhaxha i Azizit.
Sistemi i atëhershëm jugosllav nën trysninë e Serbisë bënte përpjekje të vazhdueshme ta shkatërrojë familjen e Aziz Kelmendit duke u shkaktuar atyre një varg traumash të rënda psikike e fizike. Gjithashtu, bënte fushatë të egër me shkrime të ulëta denigruese e fyese kundër familjes Kelmendi dhe mbarë popullit shqiptar në Jugosllavi. E vetmja ishte kryesia e Rinisë Socialiste e Sllovenisë, e cila në atë kohë, më 14 shtator 1987, në Lubjanë kishte reaguar duke kërkuar që të themelohet një komision i veçantë për studimin e rastit të Paraqinit si dhe kishte dënuar fushatën kundër familjes Kelmendi dhe mbarë kombësisë shqiptare në Jugosllavi. (Vijon)