
Bastisje dhe hetime në Ministrinë e Bujqësisë, zyrtari Dobra flet për “padrejtësi”
Këtë të enjte, Krimet Ekonomike kanë bastisur Ministrinë e Bujqësisë.
E në polici është shoqëruar zyrtari i kësaj ministrie, Bedri Dobra, nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje.
Pas intervistimit të tij nga ana e policisë, Dobra ka reaguar edhe në rrjetet sociale.
Ai madje thotë se krejt kjo që ndodhi sot është “një padrejtësi e madhe”, teksa e vë në dyshim edhe vërtetësinë e kronikës së publikuar në një televizion për keqpërdorimin e mbi 60 mijë eurove.
“Nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, por ajo që di me siguri është se storja që është transmetuar në televizion është e pavërtetë. Falënderoj institucionet, të cilat gjatë marrjes së intervistës kanë qenë shumë korrekte me mua dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin. Megjithatë, ky sulm ndaj meje dhe familjes sime nuk mund të kalojë pa përgjigje. Do të ndjekim rrugët ligjore për të adresuar këtë situatë, si për shqetësimin në familje, ashtu edhe për dëmtimin e imazhit tim personal, për të cilin kam punuar me vite të tëra”, ka shkruar Dobra.
Ai pati një kërkesë për mediat që “të kërkojnë falje” dhe, siç thotë ai, “të paraqesin të vërtetën ashtu siç është”.
Dobra tha po ashtu se Ministria “tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte” në faqen e saj zyrtare./Periskopi/