Bastisjet nga Specialja, Ismail Sylës i konfiskohet telefoni
Ka përfunduar bastisja nga Dhomat e Specializuara në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast i është konfiskuar telefoni. Kështu ka bërë me dije avokati, Artan Qerkini, i cili tha se gjatë bastisjeve është konfiskuar vetëm telefoni i Ismail Sylës, derisa shtoi se po ta kishin ftuar këtë të fundit, do ta kishte dorëzuar telefonin, pa pasur nevojë për bastisje.
Qerkini, bastisjen e quan të kotë, duke potencuar se po cenohet privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore.
“Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike. Kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare jo mbi mesatare do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, mendoj se të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të realizmit të bastisjes, marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete. Asgjë s’është konfiskuar përveç se një telefon, i cili i përket z. Syla”, tha Qerkini. /ksp