“Batalioni ‘Atlantiku’ është tregimi më kuptimplotë për luftëtarin shqiptar ndër breza”
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Batalionit “Atlantiku”, në prag të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të këtij batalioni.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se Batalioni “Atlantiku” është tregimi më kuptimplotë për luftëtarin shqiptar ndër breza.
Ata e braktisën jetën e ndërtuar përtej Atlantikut, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Batalioni ‘Atlantiku’ është tregimi më kuptimplotë për luftëtarin shqiptar ndër breza, që sakrifikon gjithçka për t’iu bërë gurthemel lirisë. Nder i jashtëzakonshëm t’i prisja përfaqësuesit e këtij batalioni që u rikthyen në vendin e tyre të origjinës, për shënimin e 20-vjetorit të themelimit, për t’u përulur tek varret e vëllezërve të tyre të armës, rënë në luftën çlirimtare. Ne u jemi mirënjohës përjetësisht shqiptaro-amerikanëve që dhanë kontributin e tyre në luftë por edhe në liri, në forcimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/