Batatina dënohet për kanosje ndaj gjyqtarit Nuza

21 janar 2025 | 15:13

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjobë trajnerin e Llapit, Tahir Batatinën për veprën penale “kanosje” ndaj gjyqtarit Genc Nuzës. Batatina, sipas gjykatës, e ka kanosur Nuzën më 31 gusht, pas ndeshjes Prishtina – Llapi, duke e ofenduar si shenjë pakënaqësie me rezultatin e ndeshjes.

“Do ta shifsh nga sot se a do të gjykosh më ndeshje të futbollit, do të kesh punë me mua personalisht, vetëm në qoftë se vdes do të shpëtosh”, i është drejtuar Batatina, Nuzës, sipas gjykatës. Më tej, gjykata tha se nëse dënimi i shqiptuar me gjobë nuk mund të ekzekutohet, dënimin e njëjtë do ta ekzekutojë duke i caktuar nga një ditë burgimi për 20 euro të gjobës. Për dënimin ndaj Batatinës ka reaguar edhe gjyqtari Nuza, i cili tha se pavarësisht dënimeve që shqiptojnë organet e drejtësisë, ai për çdo sulm, kërcënim, akuzë dhe shpifje do t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Pasi kam bërë denoncim për kanosje si gjyqtar kryesor në ndeshjen e Albi Mall Superligës në Futboll, e zhvilluar më 31.08.2024 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, sot më 21.01.2025 kam pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë aktgjykimin si palë e dëmtuar. Gjykata e ka cilësuar si fajtor personin që e ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj meje gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare si gjyqtar futbolli”, ka shkruar Nuza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova ka…