Batatina dhe Jashari: Edhe ndaj Feronikelit do të vazhdojmë me rezultate pozitive
Kryetrajneri i skuadrës, Tahir Batatina dhe futbollisti Dardan Jashari janë paraqitur sot në konferencë për media një ditë para ndeshjes së 21-të kampionale që skuadra e Llapit do ta zhvilloj ndaj Feronikelit në stadiumin “Zahir Pajaziti” nga ora 13:00.
“Ne kemi një ndeshje me rëndësi para vetes dhe nuk ka rëndësi se me kë përballemi. Ne si skuadër jemi të vetëdijshëm që ndeshja duhet të fitohet. Ndeshja fitohet vetëm në fushë dhe ne si skuadër kemi marrë të gjitha masat që pas ndeshjes së kaluar që kishim me Dritën të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e nesërme me Feronikelin që të paraqitemi sa më mirë ndaj tyre”, deklaroi fillimisht Batatina
Tekniku llapjan, Tahir Batatina u pyet edhe për ndeshjen e kaluar ndaj Dritës ku skuadra jonë arriti të kthehet nga Gjilani me një pikë. “Ndeshja e kaluar ndaj Dritës ka qenë një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën time. Drita ka një skuadër të mirë dhe ne treguam se jemi skuadër që mund të ‘luftojmë’ për kreun e tabelës dhe me pak fat mund të rrëmbenim tre pikë por nga disa pakujdesi tona u ndëshkuam dhe mendoj se edhe një pikë në udhëtim tek Drita nuk është rezultat i keq”, ka deklaruar ai.
Më pas Batatina foli edhe për pritshmëritë e tij për ndeshjen e nesërme ku deklaroi: “Ne duhet të futemi në ndeshje për ta fituar ndeshjen. Llapi brenda vetes ka dy skuadra dhe kjo na gëzon gjatë rrugëtimit tonë. Secili lojtar që futet nesër në ndeshje duhet ta jap maksimumin. Gjithë futbollistët që futen nesër në ndeshje janë futbollistë që meritojnë të luajnë në çdo ndeshje por është e kuptueshme se vetëm 11 lojtarë luajnë në fushë. Nesër pritet të debutoj nga minuta e parë edhe sulmuesi i ardhur, Latif Amadu”, ka shtuar ai.
Edhe futbollisti Jashari u shpreh optimistë para këtij dueli, duke thënë: “Ne si çdo ndeshje tjetër do të hymë me seriozitet maksimal edhe ndaj Feronikelit, pavarësisht problemeve që i ka kjo skuadër. Për ne do të jetë një ndeshje ‘finale’ si çdo ndeshje tjetër e radhës për t’i arritur bashkarisht objektivat e klubit. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur maksimalisht që të vijmë sa më shpejt tek goli dhe pse jo të realizojmë sa më shumë gola”.
Edhe futbollisti Jashari foli për pritshmëritë e tij nga ndeshja me Feronikelin: “Ndeshje e rëndësishme për ne. Prej minutës së parë do japim 100% nga vetja. Nuk do t’ia lëmë asgjë kohës dhe shpresojmë në fitore”.