Batatina: Ky do të jetë viti i Llapit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka komentuar shortin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës. Llapjanët aventurën në fazën kualifikuese për në Ligën e Evropës e nisin kundër skuadrës polake, Wisla Krakow.
Në një intervistë për “KosovaPress”, trajneri Batatina e cilësoi “gjigant në shtetin e vetë”, por që edhe skuadra polake do të përballet me një kundërshtar shumë të fortë siç është Llapi. Batatina ka shprehur bindjen e tij se Llapi do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Duke folur për kampionatin e Kosovës në futboll, trajneri Batatina thotë se ky do të jetë viti ku Llapi do të shpallet kampion.
“Gjithmonë vetë organizimi i klubit edhe lojtarët që ka klubi me kontingjentin të cilin e ka krijuar, mendoj që nuk të lë të mendosh ndryshe përveç luftës për titull të kampionit. Ne kot mund të themi se s’po luftojmë për titull, por Llapi gjithmonë do të luftojë për kreun e tabelës. Llapit iu ka nevojitur të paktën të bëjë një hap tutje që të jetë në hap më shumë se skuadrat në elitën e futbollit të Kosovës. Mendoj që Llapi ka bërë një hap të jashtëzakonshëm, duke e ditur se është kampion me infrastrukturë sportive, që është gjëja bazike për një skuadër. Nëse e ke infrastrukturën sportive sikurse e ka Llapi dhe organizimin të cilin e ka krijuar Llapi, mendoj që nuk ka dyshim se Llapi do të luftojë për titull të kampionit… Pasi kemi qenë shumë afër këtë vit, ndoshta me një hap për t’u bërë kampion, besoj se ky do të jetë vit i Llapit”, ka thënë Batatina. Ndeshjen e parë në raundin e parë kualifikues së Ligës së Evropës kundër Wisla Krakow skuadra e Llapit do ta zhvillojë si vendas më 11 korrik, kurse ndeshjen e kthimit më 18 korrik. Nëse Llapi e eliminon skuadrën polake, në raundin e dytë do të përballet me skuadrën e njohur austriake SK Rapid Wien.