Batatina: Llapi u eliminua me kokën lart

16 korrik 2021 | 17:00

Një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e para në garat ndërkombëtare është bilanci i skuadrës së Llapit. Pavarësisht prej eliminimit nga Shkupi, trajneri Tahir Batatina e ka vlerësuar të suksesshëm pjesëmarrjen në Europa Conference League.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjet e garave evropiane, ani pse skuadra llapjane u eliminua nga Europa Conference League pasi humbi nga Shkupi me rezultat të përgjithshëm 3-1. Llapi në ndeshjen e parë pësoi humbje në Shkup me rezultat 2-0, kurse të enjten në mbrëmje në ndeshjen kthyese që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” luajti baras 1-1.

“Ne u eliminuam nga gara e Konferencë së Ligës, por me kokën lart. Të gjithë së bashku, kryesi, staf, lojtarë, edhe ‘Legjendat’, edhe pse nuk u kualifikuam, luftuam dhe bëmë paraqitje dinjitoze dhe premtoj se në vitet në vijim do të jemi ende më të kompletuar dhe me përvojë më të lartë. Jam i lumtur që së bashku bëmë historinë pas 89 vjetëve klub, u stolisëm me Kupën e Kosovës dhe për herë të parë u regjistruam në protokollin e futbollit evropian”, ka thënë fillimisht Batatina, raporton “Epoka e re”.

Trajneri llapjan është shprehur i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të Llapit. Ai ka premtuar se kjo skuadër në çdo vit do të luftojë për pjesëmarrje në garat evropiane. “I përgëzoj lojtarët apo, thënë ndryshe, luanët e KF ‘Llapi’ për luftën e pakompromis në fushë dhe paraqitjen shumë dinjitoze. Do t’ju premtoj se KF ‘Llapi’ prapë do të jetë skuadër që do ta kërkojë Evropën për çdo vit dhe do të jemi skuadër shumë solide në vazhdimësi. Faleminderit për të gjithë që më mbështetën dhe më qëndruan afër gjatë kohës sa ishim ne organizimin e ndeshjeve të Evropës! Jam i lumtur edhe për tifozët që u rikthyen në tribuna. Kjo ishte një e arritur e madhe falë organizimit të mirë të klubit dhe stafit që pas një kohe të gjatë ata të jenë të pranishëm në ndeshje. Vazhdojmë të bashkuar edhe më të fortë se kurrë drejt realizimit të synimeve të skuadrës së KF ‘Llapi’”, ka shtuar Batatina.

Një prej vëllezërve Batatina largohet nga KF Llapi

Amrush Batatina nuk do të jetë më nënkryetar i KF Llapi pasi ka vendosur të japë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai ka thënë se këtë vendim e mori për faktin se është shumë i angazhuar me biznes në Gjermani. “Për shkak të angazhimeve të mia  me biznesin tim në Gjermani, më nuk do të jem pjesë e klubit. Kërkoj falje publike nga të gjithë adhuruesit e Llapit, në veçanti nga ‘Legjendat’, nëse i kemi lënduar me ndonjë koment të rastit në rrjetet sociale, por do të jem një tifoz i flaktë i klubit të zemrës”, ka thënë Amrush Batatina.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komentatori i njohur Radio Televizionit Publik të Kosovës, Andin Lokaj…