Batatina: Nuk diskutohet fitorja ndaj Ferizajt

03 prill 2019 | 11:10

Fitorja është opsioni i vetëm për Tahir Batatinën dhe Llapin në ndeshjen ndaj Ferizajt, e cila zhvillohet sot në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Trajneri Tahir Batatina është i bindur se skuadra e Llapit do të shënojë fitore ndaj Ferizajt, pasi në skuadër ka lojtarë shumë cilësorë të cilët, sipas tij, janë luaj të vërtetë dhe janë në gjendje ta japin shpirtin në fushë për të arritur deri te fitorja.

“Në skuadër kam lojtarë cilësorë, të edukuar dhe shumë profesionistë. Shumë shpejt e kanë kuptuar filozofinë e lojës sime dhe mënyrën se çka dua të shfaq në një ndeshje unë si trajner. Më gëzon fakti se djemtë janë të motivuar dhe në klub e kam harmoninë më të mirë në Superligë, pasi lojtarët për mua janë në gjendje të vdesin në fushë për t’i arritur pikët e plota. Kjo më bën të ndihem komod kur kam punë me luaj të vërtetë dhe afër vetes i kam djemtë më të mirë në Kosovë”, ka thënë Batatina për “Epokën e re”, duke shtuar: “Mungesa nuk kemi dhe jemi mirë të përgatitur që edhe ndaj Ferizajt do ta marrim maksimumin e pikëve. Fillimisht synim kemi aplikimin e lojës së mirë, më pas edhe fitoren”.

Skuadra e Llapit e ka ngushtuar diferencën e pikëve me dy skuadrat e para, Feronikelin dhe Prishtinën, dhe kjo nuk e ka vënë në presion aspak skuadrën nga Podujeva. “Nuk kemi presion dhe lirisht mund të them se jemi skuadra në pozitën më të mirë në kampionat sa i përket presionit. Ne futemi në ndeshje për të luajtur lojën tonë pa asnjë ngarkesë dhe me lojë të mirë të arrijmë deri te fitoret”, ka shtuar Batatina.

Ndeshja ndaj Llapit do të jetë e veçantë për trajnerin Bylbyl Sokoli, pasi në fillim të këtij kampionati ishte trajner i kësaj skuadre. Megjithatë, tash “Profa” është në krye të skuadrës së Ferizajt dhe në ndeshjen që zhvillohet sot (e mërkurë) në stadiumin “Zahir Pajaziti” synon të dalë i pamposhtur. “Favorit është Llapi. Ne do të përpiqemi të prezantohemi sa më mirë që është e mundur në Podujevë. Në çdo ndeshje përpiqemi ta japim maksimumin. Edhe në këtë ndeshje do të përpiqemi në maksimum, por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Sokoli. Krahas ndeshjes Llapi – Ferizaj, sot takohen edhe Drenica – Gjilani dhe Drita – KEK-u.

IPKO Superliga

Të mërkurën takohen:
Trepça ’89 – Flamurtari
Llapi – Ferizaj
Drenica – Gjilani
Drita – KEK-u

Të enjten takohen:
Feronikeli – Ballkani
Prishtina – Liria

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht dështimeve të shumta, kampioni i botës në atletikë, Usain…