Batatina: Me Sokolin synojmë Evropën
Llapi është duke u organizuar mjaft mirë për edicionin e ri në elitën e futbollit të Kosovës. Skuadra “bardhekaltër” nga Podujeva ka marrë trajnerin e mirënjohur Bylbyl Sokolin.
Ndërkohë në postin e drejtorit sportiv është emëruar Tahir Batatina, i cili deri në edicionin e sapopërfunduar ishte në pozitën e trajnerit. Puna e Batatinës si drejtor sportiv menjëherë ka filluar të ketë efekt, pasi ai ka rikthyer në skuadër dy lojtarë llapjanë: Bledar Hajdinin dhe Fiton Hajdarin. Llapit i është bashkuar edhe mesfushori fantastik i Dritës, Arbnor Ramadani, sulmuesi nga Shqipëria, Albi Çekiçi, si dhe Ardian Hoti.
Batatina ka arritur t’i “blindojë” edhe yjet si Mentor Zhdrella dhe pjesën tjetër të rëndësishme të skuadrës. “Llapi ende nuk e ka mbyllur sa iu përket transferimeve për këtë afat kalimtar. Qëllimi ynë është të përforcohemi edhe me katër ose pesë futbollistë, ku me shumicën prej tyre kemi arritur marrëveshje dhe pritet gjatë ditëve të ardhshme t’i bëjmë zyrtare”, ka thënë Batatina për “Telegrafin”. Llapi do të përforcohet edhe më shumë në fazën defensive dhe atë ofensive. Batatina ka treguar edhe objektivat e skuadrës së tij për edicionin e ardhshëm ku synojnë trofe dhe daljen në Evropë.
“Me ardhjen e trajnerit Bylbyl Sokoli është rritur edhe motivi te skuadra. Si skuadër stabile në vitet e fundit ku kemi përfunduar vetëm në pjesën e epërme të tabelës, ne synojmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Llapi do të jetë konkurrues në dy frontet, në kampionat dhe në kupë, pasi synojmë daljen në Evropë”, ka përfunduar Batatina.