Baton Haxhiu e quan Abdixhikun fëmijë të lazdruar dhe të lidhur me krimin e organizuar

13 korrik 2022 | 15:37

Gazetari Baton Haxhiu, përveç pozitës, ka kritikuar rëndë edhe opozitën për qëndrimet që ka karshi dialogut Kosovë-Serbi.

Në një opinion, Haxhiu e ka quajtur fëmijë të llastuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe për faktin se nuk po e mbron një qëndrim të partisë së tij që kishte në raport me dialogun, e të cilin qëndrim e ka lavdëruar.

“Në negociatat e drejtuara nga Avdullah Hoti dhe Skënder Hyseni, qëndrimi i prerë i Kosovës ka qenë se çdo marrëveshje paraprake duhet të përfshihet në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila përmban njohjen reciproke”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu, i cili është i mendimit se çdo çështje e pjesshme e hapur me Serbinë duhet t’i nënshtrohet procesit të njohjes së ndërsjellë, thotë se sado kritikë të jenë “llafazanët mendjengushtë të LV-së”, kjo ka qenë, sipas tij, prej qasjeve më strategjike, largpamëse dhe kombëtare të Qeverisë së Kosovës në dialog me Serbinë.

“Për çudi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i del në mbrojtje as këtij qëndrimi tepër dinjitoz të partisë së tij në dialog me Serbinë. Pse? Sepse ai është më i ngarkuar më shumë me eliminime të brendshme politike, sesa me fatin e Kosovës në një moment tepër delikat historik. Për një çështje kaq serioze, ai del në Kuvend dhe citon reper banalë kosovarë dhe nënqeshet si një fëmijë i llastuar”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu ka bërë edhe akuza të tjera drejt Abdixhikut.

“Fatkeqësia është se ky fëmijë i llastuar ekziston në një pakt të ngushtë me krimin e organizuar, të cilët ia kanë financuar një pjesë të mirë të fushatës lokale dhe e financojnë ditë për ditë. Dëshmi? Hulumto pak disa fotografi që qarkullojnë në rrjete sociale dhe do të keni një fushëpamje më të qartë për çka është fjala”, ka shkruar Haxhiu.

Në opinionin e tij “Dialogu sekret Kurti-Vuçiq dhe heshtja e fajshme e opozitës”, Haxhiu ka thënë se nuk do ta kisha besuar kurrë se në betejën vendimtare me Serbinë, Kosova do përfaqësohet prej “hakiabazëve e opozita e tyre do jenë disa reperë, staf i rregullt kafenesh dhe robë të bëmave të tyre në dëm të këtij vendi”.

“Në të vërtetë, pas këtyre 3-4 marrëveshjeve të reja, do të jetë më e qartë se deri në ç’shkallë Albin Kurti ka vendosur t’i shërbejë Serbisë”, ka shkruar Baton Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raheem Sterling ka konfirmuar se po largohet nga Manchester City.…