Bayerni fitore të mundimshme ndaj Augsburgut
Bayern Munchen ka vuajtur më shumë se duhet për të marrë fitoren në fushën e Augsburgut (2-3).
Kampionët në fuqi të Bundesligas kanë arritur të fitojnë 3-2 pasi e kanë parë veten dy herë në disavantazh dhe tani kanë shkuar dy pikë larg Dortmundit kryesues, që do të luajë të hënën në transfertë kundër Nurnbergut.
Heroi i sfidës ka qenë Kingsley Coman, i cili ka realizuar dy gola (17’, 45+3’) dhe ka dhënë asistimin për golin fitues të Alabas (53’). Hera e fundit që francezi kishte shënuar dy gola në një ndeshje të Bundesligas ka qenë kundër Hamburg-ut në shkurtin e 2017-ës.
Augsburg kaloi në avantazh pas 14 sekondash lojë falë një autogoli të Leon Goretzkas, që ka qenë edhe autogoli i tretë i shënuar brenda minutës së parë në historinë e Bundesligas (i fundit ishte realizuar në gushtin e 1979-ës), raporto “Telesport”.
Goli i dytë i vendasve është realizuar nga Ji Dong-Won (23′) dhe ka qenë historik, duke parë se Augsburg nuk kishte shënuar asnjëherë më parë më shumë se një gol kundër Bayernit në një ndeshje të kampionatit gjerman.