Bayerni kërkon përmbysjen në Paris
Kampioni në fuqi i Evropës, Bayern Munchen, nuk do të pajtohet me eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe sonte (e martë) beson se mund ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë çerekfinale kundër Paris Saint – Germain (2-3).
Kapiteni i Bayernit, Manuel Neuer, është optimist se skuadra gjermane mund ta përmbysë rezultatin nga ndeshja e parë. “Duhet të qëndrojmë të qetë në aspektin psikologjik, por të kemi zjarr në zemrat tona. Ne duam t’i qasemi lojës në mënyrën e duhur, me motivim, me ekuilibër mes reparteve dhe natyrisht stabilitetin që nevojitet ndaj lojtarëve kaq të shpejtë. Do të duhet të ruajmë qetësinë, të luajmë futboll sulmues dhe t’i vëmë nën presion. Ata kanë probleme në pjesën e prapme. Nëse krijojmë aq shumë shanse sa në Munchen, atëherë mund t’ia dalim”, ka thënë Neuer.
Takim interesant u zhvillua në ndeshjen e parë në “Allianz Arena”, ku u shënuan pesë gola dhe fituese doli skuadra e Mauricio Pochettino. Në kampionatet repektive, PSG-ja në fundjavë e mposhti me rezultat bindëse Strasburgun (4-1), kurse Bayerni barazoi me Union Berlin (1-1). Lajm i mirë për skuadrën franceze është rikthimi i Alessandro Florenzit dhe Marco Verrattit, derisa i gatshëm do të jetë edhe portieri Navas.
Marquinho, Mauro Icardi dhe Layvin Kurzawa nuk do të jenë të gatshëm. Në anën tjetër Bayerni pritet të jetë pa Lewandowskin, Costën dhe Gnabryn, kurse në dyshim janë Baoteng, Sule dhe Goretzka. Sonte zhvillohet edhe ndeshja kthyese e çerekfinales në mes të Chelseat dhe Portos. Skuadra angleze është favorite për kualifikim në gjysmëfinale, pasi e fitoi ndeshjen e parë në Portugali me rezultat 0-2.
Të martën takohen:
21:00 PSG – Bayern M. (2-3)
21:00 Chelsea – Porto (0-2)
/Epoka e re/