
Bayerni me dy ndryshime për ndeshjen kthyese ndaj Interit
Pavarësisht humbjes 1-2 në “Allianz Arena”, Bayern Munich nuk e ka humbur shpresën për kualifikim në gjysmëfinalet e Championsit.
Takimi i kthimit ndaj Interit në “San Siro” pritet të jetë një betejë vendimtare për sezonin e bavarezëve.
Skuadra gjermane e nisi sfidën e parë me pritshmëri më të larta, duke synuar të paktën një barazim, veçanërisht pas dominimit të treguar në dy përballjet e fundit me zikaltërit.
Megjithatë, dëmtimet e rëndësishme të lojtarëve kyç si Musiala, Davies, Upamecano dhe portieri Neuer u ndjenë thellë në fushën e lojës.
Sipas “Bild”, trajneri Vincent Kompany po përgatit skuadrën për ndeshjen e kthimit, me një plan të mirëmenduar që synon të përmbysë rezultatin. Thomas Muller pritet të rikthehet në formacionin titullar, duke marrë rolin e numrit 10, pozicion që në takimin e parë iu besua mbrojtësit Guerreiro.
Në mbrojtje, Kimmich pritet të zhvendoset në krahun e djathtë, ndërsa mesfusha do të përforcohet me dyshe Palhinha-Goretzka – një lëvizje taktike e re nga tekniku belg.
Të gjitha shenjat tregojnë se Bayern është gati për një përballje të zjarrtë në Milano, me një qëllim të vetëm: kualifikimin.