Bayerni nuk e shet Mullerin
Drejtori sportiv i Bayernit Munichut, Hasan Salihamidziq, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që Thomas Muller të largohet nga skuadra e gjigantit gjerman gjatë afatit kalimtar të janarit, përkundër që futbollisti s’e përjashtoi këtë mundësi në një intervistë të kohës së fundit.
Veterani Thomas Muller është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Bayerni, pasi që minutat e lojës për 30-vjeçarin në ndeshjet e ligës ishin të limituara nën Niko Kovaqin, që nga barazimi i shtatorit kundër Leipzigut.
Një largim gjatë afatit kalimtar të janarit është spekuluar për veteranin e Bayernit, i cili kishte qenë i lidhur me një transferim të mundshëm në Manchester United më parë.
Por, Salihamidziq tentoi t’i shuajë spekulimet për transferimin e Mullerit në ndonjë klub tjetër, duke thënë se Bayerni s’do ta lejojë asnjë lojtar kyç të largohet nga skuadra gjatë afatit kalimtar të verës.
“Ne i kemi dy lojtarë që kanë lëndime afatgjate dhe ju po tentoni të na bindni se ne do ta shesim dikë në janar”, tha ai për Sky Sport, duke iu referuar mungesës së mbrojtësve Niklas Sule dhe Lucas Hernandez.
“Kjo është një novelë që ju e shkruani vazhdimisht”.
“Ne nuk jemi duke menduar ta japim asnjë lojtar, por po mendojmë se si t’i kthejnë ata që po na mungojnë sa më shpejt dhe të jemi stabil në futboll sërish”.
Mulleri doli nga akademia e Bayerni në vitin 2008 dhe, që nga atëherë, ai e ka fituar tetë herë titullin e Bundesligës me bavarezët. Ai gjithashtu ka triumfuar në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës, Kupën e botës së Klubeve, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Gjermanisë.