Bayerni shkatërroi Kolnin
Bayern Munichu ka arritur të sigurojë fitore me rezultat 4:0 në ndeshjen kundër Kolnit, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Allianz Arena”, në kuadër të xhiros së pestë të sezonit të ri, 2019/20, të Bundesligës. Me këtë fitore, të paktën momentalisht, skuadra e Niko Kovaqit e merr kreun e tabelës.
Pas fitores 3:0 në mesjavë, kundër Crvena Zvezdas në Ligën e Kampionëve, Bayerni e vazhdoi formën e mirë edhe sot, duke u treguar bindës edhe kundër Kolnit, që tani e pësoi disfatën e dytë radhazi.
Bayerni e dominoi plotësisht skuadrën mysafire – që luajti prej minutës së 59-të me dhjetë lojtarë në fushë, përmes posedimit të topit, goditjeve brenda kuadratit të portës, numrin e pasimeve dhe, ajo që është më e rëndësishmja, duke shënuar katër herë në portën kundërshtare.
Skuadrës së Kovacit iu nevojitën vetëm tri minuta për ta zhbllokuar rezultatin e ndeshjes, pasi që Robert Lewandowski shënoi qysh në fillim të ndeshjes, pasi një pasimi të mirë nga Joshua Kimmich.
Pikërisht tre minuta pasi filloi pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje, Lewandowski e shrytëzoi sërish një pasim të Joshua Kimmichit për ta dyfishuar epërsinë e nikoqirëve.
Në minutën e 62-të, i huazuari nga Barcelona, Philippe Coutinho, u tregua i saktë nga pika e penalltisë – të cilën e fitoi vet, duke bërë që Kingsley Ehizibue të ndëshkohet me karton të kuq. Coutinho u tregua vendimtar edhe në minutën e 73-të, kur e asistoi golin e shënuar nga Ivan Perisici.
Momentalisht, Bayerni radhitet në pozitën e parë në tabelën e Premierligës, me 11 pikë të grumbulluara nga pesë ndeshjet e para – tri fitore dhe dy barazime. Leipzigu dhe Dortmundi mund ta kalojnë sërish Bayernin nëse i fitojnë ndeshjet e kësaj xhiro.