Bayerni uron Leverkusenin për titullin e kampionit
Pas 120 viteve pritje, Bayer Leverkusen është kampion në Gjermani, për herë të parë në histori të këtij klubi.
“Aspirinat” kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm duke i dhënë fund dominimit të Bayern Munichut pas 11 titujve radhazi në Bundesliga.
Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit, Bayer Leverkusen nuk ka asnjë humbje deri më tani me 25 fitore dhe katër barazime.
Bayern Munich ka treguar se është një klub i madh, pasi kanë uruar kundërshtarët e tyre për titullin historik nëpërmjet presidentit Herbert Hainer, i cili dha edhe një mesazh të qartë për rikthimin e Bayernit.
“Urime Bayer Leverkusenit për fitimin e titullit të parë historik. Titull absolutisht i merituar, ky është shpërblimi i një sezoni të jashtëzakonshëm dhe një futbolli të mrekullueshëm të shprehur nga ta. Ne do të synojmë të rikthejmë titullin në Bavari, kështu që shihemi vitin tjetër”, u shpreh i pari i rekordmenëve të futbollit gjerman.
Nuk mungoi një urim për rivalët edhe nga Jan-Christian Dreesen, CEO i Bayernit.
“Përgëzime të gjithëve te Leverkuseni. Deri tani ka zhvilluar një sezon të pabesueshëm. Skuadra ka shfaqur guxim, klas dhe vazhdimësi. Kështu që është një titull plotësisht i merituar. Ne do të marrim si një nxitje për të punuar edhe më shumë që të rikthejmë trofeun sërish te Bayerni”, u shpreh Dreesen.
Nach elf Titeln in Serie: Der #FCBayern gratuliert Bayer 04 Leverkusen zur Deutschen Meisterschaft 2023/24. 👏
— FC Bayern München (@FCBayern) April 14, 2024