Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Begaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi sa e brishtë është siguria në rajon

04 mars 2024 | 11:53

Në përurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se jetësimi i kësaj baze shënon një kapitull të ri në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të rajonit.

Në fjalimin e tij, Begaj ka thënë se kjo bazë ajrore e NATO-s simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

“Jetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e rajonit. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. I shpreh mirënjohje ShBA-së për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s e ngritur në Kuçovë simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt”, ka thënë Begaj.

Më tutje, Begaj ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, duke thënë se ky sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajon dhe se siç tha ai një gjë e tillë dëshmon se ka ende aktorë lokal që duan të projektojnë të ardhmen përmes të kaluarës.

“NATO nëpërmjet këtij investimi tregon se Shqipëria ka rëndësi strategjike për aleancën. Për Shqipërinë një investim strategjik shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur. Me rëndësi të veçantë kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e tjera, terrorizmi, përbëjnë sfida. Konfrontimet politike ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar, në sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë që mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila s’duhet të kthehet më. Ne duhet të jemi të gatshëm për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në aleancë”, ka thënë Begaj.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, të premten e 1 marsit, Parlamenti Evropian ka kërkuar vënien para drejtësisë të autorëve të këtij sulmi, si dhe heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të shtëna armësh kanë ndodhur në rrugën “Bedri Shala” në…