Baza e Pashalimanit ruhej me studentë dhe infermierë

14 janar 2019 | 13:20

Dalja para gjykatës së Vlorës për vlerësimin e masës së sigurisë e 4 të arrestuarve pas vjedhjes së armëve dhe granatave në bazën ushtarake të Pashalimanit në Vlorë ka zbuluar detaje të pabesueshme. Në këtë bazë ushtarake kishin bërë roje dhe një infermier dhe student dhe baza ushtarake siç pretendojnë avokatet nuk ka rrethim Madje në pjesën që është kryer vjedhja nuk ka pasur ndriçim dhe nuk ka kamera sigurie.

Infermieri i arrestuar

Edlir Nelaj dëshmoi në Gjykate se: “Unë jam infermier i qendrës shëndetësore Pashaliman nuk kam punë të bëj shërbim. Por meqë këta thonë do vesh atje se s’kemi njerëz na mbajnë të sforcuar. Nuk më takon të bëj shërbim”. Ndaj tij rëndon dhe akuza e falsifikimit të dokumenteve pasi ka firmosur në vend të rojës që nuk ishte.

Studenti i arrestuar

Sipas avokatit mbrojtës të Ardit Ramajt, klienti i tij është ende në shkollë “ndaj nuk mund të marrë asnjë pozicion përgjegjësi. I kanë ngarkuar detyrën si oficer shërbimi në kundërshtim me urdhrin e ministres. Në këto rrethana nga veprimet dhe mosveprimet nuk provohet të ketë ardhur vjedhja si pasojë e tij”. Sipas avokatit studenti Ardit Ramaj e bënte këtë detyrë në kundërshtim me urdhrin e ministres së Mbrojtjes, madje avokati ka vijuar: ”Jemi vend anëtar i NATO-s, depoja nuk ka rrethim”.

Përgjegjësi roje

Avokati mbrojtës i Lesko Ramosaco i kërkoi gjykatës procedim në gjendje të lirë. Ramosaco ishte personi që bënte oraret e rojeve. “Bëra akt kontrollet por nuk ka pasur ndriçim në pjesën që është kryer vjedhja dhe nuk ka kamera ne atë zone. Depoja e armatimeve nuk ka as kushtet minimale të sigurisë”, ka thënë Ramosaço.

Ushtari, oficer roje

Ervis Mensullaj ka dëshmuar: Kam ikur në orën 2.30 të mëngjesit pasi nuk e përballoja dot të ftohtin.

Ngjarja

Bazuar në hetimet e kryera nga policia ushtarake e Vlorës, vjedhja e municioneve, pushkëve snajper dhe granatave dyshohet se ka ndodhur pas orës 03:30 të datës 10 janar 2019. Nga këqyrja e regjistrave të bazës ushtarake ka rezultuar se depot e armatimit janë lënë pa roje për rreth 4 orë mëngjesin e 10 janarit pasi ushtaraku është larguar për shkak të motit të ftohtë. Shërbimi i rojës është rivendosur në orën 7 të mëngjesit kur punonjësi që ka marrë turnin ka firmosur dokumentet pa praninë e rojës që duhet të bënte dorëzimin e rregullt të gjendjes së depos së armatimit. Vjedhja është konstatuar disa orë më vonë, ku policia ushtarake gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka gjetur dhe një dritare të dëmtuar në depon e armëve e cila besohet se është përdorur për të nxjerrë jashtë materialet e vjedhura. Një tjetër provë në vendin e krimit kanë qenë dhe një armë dhe disa municione që autorët e vjedhjes i kishin lënë jashtë bazës ushtarake në largim e sipër. Ndërkaq në procesverbalin e policisë ushtarake thuhet se në ambientet e brendshme të depos ku ka ndodhur vjedhja nuk janë gjetur gjurmë gishtash. Aktualisht baza shërben për ankorimin e anijeve të rojës bregdetare shqiptare duke qenë kështu baza më e rëndësishme ushtarake shqiptare.\koha jonë\

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lakersat janë mposhtur 101-95 në fushën e saj nga Clevelandi,…