BBC: Fondet ndërkombëtare në Siri i shkonin ekstremistëve
Qeveria britanike pezulloi një projekt ndihme ndërkombëtare pas një hetimi të BBC që zbuloi se paratë e taksapaguesve i shkonin ekstremistëve në Siri.
Jo vetëm kaq, por, sipas BBC, oficerët e një force policore të mbështetur nga Londra kanë bashkëpunuar me gjykatat për të ekzekutuar ndëshkime brutale.
Megjithatë, Adam Smith International, kompania britanike që drejton projektin, tha se i mohon fuqishëm akuzat. Në kuadër të këtij projekti u krijua FSP, policia e lirë siriane, qëllimi i së cilës ishte garantimi i ligjit dhe rendit në zonat e vendit që kontrolloheshin nga forcat e opozitës.
Britania ishte një prej 6 donatorëve që paguanin për projektin që financonte forcën policore të paarmatosur dhe kishte kushtin të mos bashkëpunonte me grupet ekstremiste.
Por, BBC thonë se nuk ishte gjithnjë kështu. Reporterët e BBC zbuluan se kjo polici bashkëpunonte me gjykatat që vendosnin për ekzekutime barbare, përfshirë vrasjen me gurë të dy femrave. Policët paguheshin me para’ të thata, fonde që më pas ia jepnin grupeve ekstremiste në zonë, madje këto të fundit zgjidhnin edhe policët që shërbenin aty.
Madje në shumë raste, aty ku në bordero shfaqeshin emrat e dhjetëra policëve dhe rajoneve policore, në terren nuk ekzistonte asnjë dhe në shumë prej listave kishte emra të vdekurish.