‘BBC’-ja: Shteti Islamik në Irak po riorganizohet sërish
Ekzistojnë indikacione në rritje se grupi militant, Shteti Islamik (ISIS) po riorganizohet në Irak, dy vjet pasi humbi territorin e fundit që mbante nën kontroll.
Kurdët dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës i kanë thënë “BBC”-së se prezenca e ISIS-it në Irak është një kryengritje e sofistikuar dhe se sulmet e militantëve të këtij grupi po shënojnë rritje.
Tash, militantët janë më të aftë dhe më të rrezikshëm se sa grupi tjetër militant Al-Kaida, ka thënë Lahur Talabany, një zyrtar i lartë kurd kundër terrorizmit.
“Ata posedojnë teknika më të avancuara, taktika më të mira dhe shuma të mëdha parash në dispozicion”, ka thënë ai, duke shtuar se grupi militant ka mundësi të blerjes së automjeteve, armatimit, pajisjeve tjera dhe ushqimit.
“Ne shohim që aktivitetet po rriten tani, dhe ne mendojmë se faza e rindërtimit ka mbaruar”, ka thënë Talabany, i cili kryeson agjencinë Zanyari, një nga dy agjencitë e inteligjencës në rajonin e Kurdistanit në Irak.