BBC raportoi për detonime afër Kievit, NEXTA për lansim të raketave drejt Ukrainës
Gjatë ditës së djeshme Rusia është zotuar se do të rrallojë dukshëm sulmet në Ukrainë dhe se do të tërhiqet nga përpjekjet për pushtimin e Kievit dhe qytetit verior, Chernihiv.
Mirëpo, mbrëmë vonë, korrespondenti i BBC-së, Jeremy Bowen, i cili gjendet në Kiev, ka raportuar se ende po dëgjohen detonime nga betejat që po zhvillohen në veriperëndim të qytetit.
“Me siguri po ndodh 15 deri 25 kilometra larg nga këtu dhe s’mund të them nëse po vjen nga ukrainasit apo rusët, por është fakt se ende po zhvillohen”, ka thënë ai.
“Kështu që, nëse ka një plan për ta rralluar nivelin e aktiviteteve ushtarake në kufijtë e këtij qyteti, kjo gjë nuk ka ndodhur ende”, ka shtuar gazetari i BBC-së.
Në anën tjetër, mediumi NEXTA ka raportuar se pothuajse e gjithë Ukraina gjendet nën alarm ajror. Sipas mediumit, ka informacione për shpërthime në Kiev, Kharkiv dhe Khmelnytskyi.
“Ka raportime për një lansim masiv të raketave drejt Ukrainës nga regjioni Gomel i Bjellorusisë”, ka shkruar media në “Twitter”.