BBC raporton për përleshjet në veri dhe vendosjen e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën
Përpjekja e kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet komunale ka hasur në bllokadë të qytetarëve serbë. Këto zhvillime patën jehonë shpejt në mediat ndërkombëtare dhe reagim të ashpër nga aleatët ndërkombëtarë.
Para mbërritjes së kryetarëve të komunave, serbët lokalë kishin lëshuar tashmë sirenat dhe filluan të grumbullojnë qytetarët për të bllokuar hyrjet në ndërtesat komunale. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga përleshjet në veri janë lënduar pesë policë. Përmes një komunikate për medie, është bërë po ashtu me dije se janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare.
Ndërlidhur me këto zhvillime raportoi edhe BBC. Aty po ashtu shkruhet për vendimin e presidentit Vuçiq për ta vendosur në gatishmëri ushtrinë duke urdhëruar që të afrohen më pranë kufirit pas përleshjeve të premten mes policisë kosovare dhe protestuesve që kundërshtojnë kryetarët e rinj. “Presidenti i Serbisë ka vendosur ushtrinë në gatishmëri dhe ka zhvendosur njësitë afër kufirit të Kosovës, pas përleshjeve mes policisë dhe pakicës serbe të Kosovës.”
Në artikull po ashtu thuhet se përplasjet në veri filluan pasi policia u vendos në atë pjesë “për të vendosur kryetarë të rinj shqiptarë etnikë dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të prillit në katër komunat veriore.”
Kujtojmë se ngjarjet e sotme kanë shkaktuar tensione në raport me Qeverinë e Kosovës dhe SHBA-të. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka dënuar ashpër aksionet e policisë për t`i vendosur kryetarët e rinj të komunave verior në zyrat e komunave.
Reagim të ashpër pati edhe nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “dënojnë fuqishëm” veprimet e Qeverisë së Kosovës.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ai e ka etiketuar kryeministrin Albin Kurti, duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.” – u shpreh ai.