BBC: Sulmi në Poloni nuk duket të jetë i qëllimshëm
Kur raketat ruse hidheshin në objektiva kaq afër kufirit të Polonisë, dhe kur mbrojtja ajrore e Ukrainës aktivizohej për t’i goditur ato, ishte ndoshta vetëm çështje kohe para se të ndodhte diçka e tillë.
Fakti që një raketë ra në anën e kufirit të Polonisë është sigurisht një zhvillim shqetësues, jo vetëm për Poloninë, por për të gjitha shtetet në kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe Ukrainës.
Kështu thotë Frank Gardner, Korrespodent i Sigurisë i BBC News.
Tutje, ai thotë se Moldavia është ankuar tashmë për efektin e raketave ruse të lëshuara pranë kufijve të saj.
“Por ajo që ka rëndësi këtu është se cili ishte objektivi i synuar, kushdo që e lëshoi raketën. Dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues se Rusia synonte qëllimisht diku përtej kufijve të Ukrainës”, thotë Gardner.
Kremlini, thotë ai, e di se një veprim i tillë potencialisht do të aktivizonte nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, duke sjellë teorikisht të gjithë aleancën në mbrojtjen e Polonisë.
“NATO-ja nuk dëshiron të jetë në këtë pozicion, veçanërisht vetëm një ditë pasi shefat e spiunazhit të Rusisë dhe Amerikës sapo janë takuar për të diskutuar se si të shmangin përshkallëzimin e panevojshëm në këtë luftë”.
“Pjesa më e madhe e furnizimeve jetike të Ukrainës me armë mbrojtëse kalon përmes Polonisë. Nëse do të synohej qëllimisht, do të ishte një çështje tjetër. Por këtu nuk duket se është kështu”, tha ai.