BDI-ja: Nikolovski shpif qëllimisht për t’i dëmtuar projektet që na lidhin me Kosovën dhe Shqipërinë

08 shtator 2024 | 15:18

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni të Veriut, ka theksuar se me shqetësim është duke “ndjekur lehtësinë me të cilën gënjeshtrat dhe manipulimet ditore që botohen dhe shpërndahen pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për fjalën publike”.

Në reagimin e BDI-së është thënë se akuzat e ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolovski, në lidhje me përfitimin e funksionarëve të BDI-së në procesin e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, janë të pabaza dhe plotësisht të pavërteta.

“Çdo informacion në lidhje me Korridorin 8 dhe autostradën Shkup – Bllacë është i pasaktë dhe shfaq injorancë institucionale nga qeveria me legjitimitet monoetnik”,  është thënë në reagim.

Sipas BDI-së, dy kilometrat e para tek kufiri në Bllacë janë të përfunduara në qeverinë e kaluar.

“Juve ju ka mbetur vetëm ta lëshoni në përdorim. Vazhdimi i asaj autostrade në gjatësi prej 10 kilometra, është projektuar nga kompania amerikane ‘Hill’ dhe është financuar nga BERZH, bashkë edhe me asistencën teknike. Ky projekt financohet me kredi nga BERZh-i, ku rreth 30 milionë euro janë grant. Traseja e autostradës është përzgjedhur për ta evituar shkatërrimin e varrezave të Bllacës dhe poligonin ushtarak Stenkovec”, është thënë në reagimin e BDI-së.

Më tutje, është thënë se ky projekt bazë i përgatitur për më shumë se 2 vjet është tenderuar dhe kjo qeveri duhet të bëj përzgjedhjen e realizuesit të punimeve.

“Çdo ri-projektim do të zgjasë gati se 3 vjet. Sa i përket shpronësimit, minimumi i çmimit për shpronësim i paguar deri më tani aty nga shteti është 2 euro për metër katror ndërsa maksimumi 20 euro, kështu që pretendimet e Nikollovskit janë absurde. Prandaj, ftojmë ministrin Nikolovski të paraqet dëshmi konkrete për akuzat e tij. Nëse këtë nuk e bën, do ta konsiderojmë se ai është një krijues i lajmeve të rreme dhe propagandës si dhe kundërshtarë i projekteve që na lidhin me Shqipërinë dhe Kosovën”, është thënë në reagimin e BDI-së.

Në reagim është thënë se Bashkimi Demokratik (BDI) për Integrim gjithmonë ka vepruar me transparencë dhe integritet në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

“Ne nuk do të lejojmë që këto gënjeshtra të na devijojnë nga misioni ynë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme. Ftojmë publikisht ministrin të dëshmojë akuzat ose të tërhiqet nga këto shpifje që dëmtojnë jo vetëm figurat tona publike, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. BDI qëndron e fortë dhe e patundur në përkushtimin e saj për të mbrojtur të vërtetën dhe interesat e qytetarëve të saj”, është thënë në reagimin e BDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se vendin e…