BDI-ja nis reformën gjithëpërfshirëse të partisë dhe procesin e vetingut

13 shkurt 2025 | 12:38

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar për fillimin e një procesi të gjithanshëm reformash dhe vetingu brenda partisë, të udhëhequr nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti dhe kryesia e partisë.

Në njoftimin për medie, theksohet se kjo nismë nënvizon përkushtimin e BDI-së për qeverisje dhe integritet shembullor, duke vendosur një standard të ri për partitë politike në rajon.

“Si pjesë e strategjisë së reformës, BDI po zbaton mekanizma konkretë që synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies brenda radhëve të saj. Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së. Ky kod përputhet me Kodin e Praktikës së Mirë në Fushën e Partive Politike, të miratuar nga Rezoluta e Komisionit të Venecias dhe e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE)”, ka njoftuar BDI.

Më tej në njoftim thuhet se BDI-ja është e vendosur të zgjerojë këtë proces të vetingut përtej nivelit parlamentar, duke synuar të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë të partisë, anëtarët e Kryesisë së BDI-së dhe kryesinë lokale të degës së partisë. “Ky plan strategjik veprimi synon jo vetëm të përforcojë qëndrimin e partisë kundër korrupsionit, por edhe të nxisë një kulturë integriteti brenda proceseve politike.

Duke udhëhequr me këto reforma, BDI krijon një precedent për të ndjekur partitë e tjera politike. Kjo nismë ripohon përkushtimin e BDI-së për sundimin e ligjit dhe tregon përkushtimin e partisë për të trajtuar korrupsionin në rrënjët e tij”, thuhet ndër tjera në njoftim.

Theksohet se kryetari Ali Ahmeti ka thënë se BDI-ja është e përkushtuar në ndërtimin e integritetit të jashtëzakonshëm institucional dhe personal “Qasja jonë është gjithëpërfshirëse dhe e mirëplanifikuar, duke u fokusuar tek individët me integritet të fortë, të cilët do të mbrojnë agjendën kundër korrupsionit dhe procesin e vetingut”, ka thënë Ali Ahmeti.

Thuhet se nëpërmjet veprimeve strategjike dhe angazhimit të palëkundur, BDI mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të udhëhequr me shembull me qëllimin përfundimtar për të realizuar ndryshime domethënëse brenda partisë dhe, në fund të fundit, në kuadrin kombëtar të qeverisjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka beson se skuadra e tij do të arrijë…