BE arrin marrëveshje kompromisi për ndalesë në naftën ruse

31 maj 2022 | 08:35

Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për një plan që parasheh bllokimin e më shumë se dy të tretave të importeve të naftës ruse.

Ndalesa përbën një kompromis, sepse nuk prek importet përmes tubacioneve, tani për tani, për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se marrëveshja ndërpret “një burim të madh të financimit” për makinën ruse të luftës.

Ajo është pjesë e paketës së gjashtë me sanksione, e cila është miratuar në një samit të mbajtur në Bruksel mes 27 vendeve anëtare më 30 maj.

Michel ka thënë se BE-ja është pajtuar edhe për masa që shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, si dhe tre transmetues shtetërorë.

Liderët e vendeve anëtare kanë kaluar disa orë duke tentuar që të zvogëlojnë dallimet në qëndrime për ndalesën në importet ruse të naftës, raporton Rel.

Kompromisi është arritur pas disa javëve me diskutime, derisa është arritur pajtueshmëri që të ketë “përjashtim të përkohshëm për naftën që shkon në BE përmes tubacioneve”, u ka thënë Michel gazetarëve.

Për shkak të vendimit të marrë, sanksionet do të prekin vetëm naftën ruse që arrin në BE përmes detit – apo dy të tretat e totalit të importuar nga Rusia.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shkalla e ndalesës do të mund të jetë edhe më e madhe, pasi Gjermania dhe Polonia kanë shprehur gatishmëri për të ndalur importet e tyre përmes tubacioneve deri në fund të vitit.

“Ajo çfarë mbetet është rreth 10-11 për qind, që mbulohet nga Druzhba në jug”, ka thënë von der Leyen, duke iu referuar tubacionit rus që dërgon naftë në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Këshilli Evropian do të diskutojë edhe për këtë përjashtim “sa më shpejt që është e mundur”, ka shtuar ajo.

Ndalesa në importet e naftës ruse është propozuar nga Komisioni Evropian një muaj më parë.

Mirëpo rezistenca, kryesisht nga Hungaria, e cila importon 65 për qind të naftës së saj nga Rusia përmes tubacioneve, ka mbajtur peng rundin e ri të sanksioneve.

Vendet tjera sikurse Sllovakia dhe Republika Çeke, po ashtu kanë kërkuar më shumë kohë për shkak të varësisë së tyre ndaj naftës ruse.

Bullgaria, vend të cilit i është ndalur gazi nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, ka kërkuar mundësi tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço ka deklaruar se pajisja misterioze…