BE ashpërson masat: Ndalime për linjat ajrore e mediat ruse, blen armë për Ukrainën
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen tha se BE-ja po mbyll hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, duke ndaluar mediat shtetërore ruse në territorin e saj dhe duke vendosur sanksione të reja ndaj Bjellorusisë. Sipas saj, BE synon të fillojë furnizimin me armë në Ukrainë.
Duke folur në një konferencë për shtyp pasditen e sotme, presidentja e Komisionit Evropian tha se hapësira ajrore e BE-së do të mbyllet për avionët që janë në pronësi ruse, të regjistruar në Rusi ose nën kontrollin rus.
“Ata nuk do të jenë në gjendje të ulen, të ngrihen apo të fluturojnë mbi territorin e BE-së. “Përfshirë avionët privatë të oligarkëve,” tha Von der Layen.
Ajo tha gjithashtu se makineria mediatike e Kremlinit do të ndalohet në BE.
“Mediat shtetërore Russia Today dhe Sputnik dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit,” tha Von der Layen, duke vënë në dukje se KE po zhvillonte mjete për të ndaluar dezinformatat e tyre toksike dhe të dëmshme në Evropë.
Ajo njoftoi gjithashtu se një paketë e re veprimesh po përgatitet për agresorin e dytë në këtë luftë – regjimin e Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi. Siç shpjegoi ajo, sanksionet e reja do të prekin sektorët më të rëndësishëm të Bjellorusisë.
Sipas njoftimit të saj, BE-ja do të fillojë furnizimin me armë për Ukrainën, që është hera e parë në histori që BE vendos për një lëvizje të tillë.