
BE dërgon trupa shtesë në Bosnjë për ta ruajtur paqen
BE njoftoi planet për të dërguar paqeruajtës në Bosnjë pasi gjykata e lartë e vendit pezulloi ligjet e miratuara nga njësia e saj rajonale me shumicë etnike serbe.
Bëhet e ditur se paqeruajtësit rezervë mbërritën në Bosnje të mërkurën mes tensioneve në rritje në vend, një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ripohoi mbështetjen për integritetin territorial dhe paqen e vendit.
Personeli ushtarak italian dhe çek u ulën në aeroportin e Sarajevës dhe u pritën nga forca e BE-së në Bosnje, e njohur si EUFOR.
Trupat rumune, helikopterët dhe furnizimet ushtarake do të mbërrijnë në ditët në vijim, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Rutte ishte zotuar për mbështetjen “e palëkundur” të NATO-s për integritetin territorial të Bosnjës, pasi një sërë lëvizjesh serbe në Bosnje ngritën tensionet gati 30 vjet pas përfundimit të luftës së përgjakshme.
Presidenti i entitetit me shumicë serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës në Republika Srpska (RS), Milorad Dodik, prezantoi ligje të reja që synojnë të ndalojnë funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit në nivel shtetëror në atë që përfshin rreth gjysmën e territorit të vendit të Ballkanit Perëndimor.
Raportohet se prokurorët e nivelit shtetëror të Bosnjës lëshuan urdhërarrest të mërkurën për tre zyrtarë të lartë serbë të Bosnjës – përfshirë Dodik.
Dodik, i cili ka thënë më parë se nuk e njeh zyrën e prokurorit të nivelit shtetëror të vendit, ka hedhur poshtë vlefshmërinë e urdhërarrestit dhe çdo përpjekje për arrestimin e tij dhe tha se nuk do të shkojë në Sarajevë për t’u marrë në pyetje.
Aktet e tij, të cilat u miratuan më parë nga Asambleja Kombëtare e RS-së, vijnë si përgjigje ndaj vendimit të shkallës së parë nga Gjykata e nivelit shtetëror të BeH kundër Dodikut të lëshuar më 26 shkurt.
Gjykata me bazë në Sarajevë dënoi liderin serb të Bosnjës me një vit burg dhe e ndaloi atë nga politika për gjashtë vjet për kundërshtimin e vendimeve të të dërguarit të paqes të bashkësisë ndërkombëtare, diplomatit gjerman Christian Schmidt, që përbën një akt kriminal.
Por, vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë.
Ndryshe, në Bosnje, Përfaqësuesi i Lartë vepron si arbitri kryesor në mosmarrëveshjet e profilit të lartë dhe figura kryesore që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, nënshkruar në 1995 për të ndaluar luftën në vend.