BE: I takon Kosovës të gjejë mënyra për zbatimin e marrëveshjes për Asosacionin
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano ka thënë të enjten se në takimin mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, diskutohet për çështjet financiare dhe se për këtë rend dite janë marrë vesh vetë palët.
Ndërsa lidhur me “aranzhimet për komunitetet joshumicë” ai ka thënë se kjo temë do të jetë në rend dite në ditët në vijim, pa dhënë detaje tjera.
Ai ka rikujtuar se ekziston marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se pala kosovare “duhet të vijë me një propozim për zbatimin e marrëveshjes”.
“Mund të them se Kosova ka hyrë në marrëveshje në vitin 2013 për të krijuar Asociacionin. Marrëveshja është bërë në mirëbesim të palëve dhe asnjëherë nuk është anuluar. Kjo marrëveshje është ratifikuar me 2/3 e votave në Parlamentin e Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar për të implementuar marrëveshjen. Mbetet që Kosova ta propozojë një mënyrë se si të zbatohet kjo marrëveshje”, ka thënë ai.
Të enjten në Bruksel, zhvillohet takimi në nivel të ekspertëve ndërsa pas dhjetë ditëve pritet të ketë edhe një takim në nivel të lartë me praninë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./rel/