BE-ja anulon projektin 12 milionë eurosh në Kosovë
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka njoftuar se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë euro për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
Ky projekt përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010.
Si rrjedhojë, projekti është përfshirë në të ashtuquajturin Instrument i BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) për 2015.
Për ndërtimin, Qeveria fillimisht kishte identifikuar një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk ka dalë të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.
Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte identifikuar një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës.
Megjithatë, Kuvendi i Komunal i Fushë Kosovës e pati refuzuar ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.
“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e serishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore si gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj”, është thënë deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Me këtë rast, BE-ja ka shprehur keqardhje për anulimin e këtij projekti, pas sipas tyre, i njëjti do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme.
Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.
“BE-ja kontribuon me pothuajse 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. BE-ja mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me Kosovën, përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë mjedisore”, është thënë në deklaratën e BE-së.
/Epoka e re/