BE-ja ashpërson sanksionet ndaj Bjellorusisë
Shtetet e Bashkimit Evropian u pajtuan për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për shkak të luftës në Ukrainë, me qëllim që t’i lidhin sanksionet më shumë me masat që shënjestrojnë Rusinë, në përpjekje për të frenuar shmangien e sanksioneve, thanë zyrtarët.
“Ambasadorët e BE-së u pajtuan në parim për paketën e re të sanksioneve që shënjestron Bjellorusinë”, njoftoi Belgjika, shtet që aktualisht udhëheq presidencën e BE-së.
“Kjo paketë do të forcojë masat tona në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, përfshirë luftimin e shmangies së sanksioneve”, u tha në njoftim.
BE-ja e ka sanksionuar Qeverinë e liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, aleat i ngushtë i Kremlinit, për shkak se ai ka lejuar që shteti i tij të përdoret për nisjen e pushtimit rus të Ukrainës.
Afrimi i sanksioneve ndaj Bjellorusisë me ato të vendosura ndaj Moskës shihet si thelbësore për të ndaluar që mallrat e ndaluara të shkojnë në Rusi, sikurse janë mikroçipat, të cilët mund të përdoren në fushëbetejë në Ukrainë.
Zyrtarët në Bruksel kanë ndaluar dërgimin e mallrave nga BE-ja në Rusi.
“Bjellorusia më nuk duhet të shërbejë si rrugë për shmangien e sanksioneve tona kundër Rusisë. Me këtë paketë, ne do të rrisim presionin ndaj dy shteteve dhe do t’i bëjmë sanksionet tona kundër Rusisë më efektive”, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Tiwtter.
Edhe para nises së pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja kishte vendosur runde sanksione ndaj Qeverisë së Lukashenkas për shkak të shtypjes së protestave.
Deri më tani, blloku po ashtu ka vendosur 14 paketa sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.