BE-ja dhe Britania kërkojnë armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut
Bashkimi Evropian është “jashtëzakonisht i shqetësuar” për përshkallëzimin e konfliktit midis Izraelit dhe grupit Hezbollah, të shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja.
Kështu tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm”.
“Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar për përshkallëzimin në Liban, pas sulmeve të së premtes në Beirut”, tha Borrell në një deklaratë, duke bërë thirrje për një “armëpushim” përgjatë vijës kufitare që i ndan, “si dhe në Gaza”.
Ndërkohë, edhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” pas një “përshkallëzimi shqetësues” midis Izraelit dhe Hezbollahut, pasi tensionet në kufi kanë shtuar frikën e një lufte në shkallë të plotë.
“Mesazhi ynë për të gjitha palët është i qartë: kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm nga të dyja palët, në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje politike, që izraelitët dhe civilët libanezë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha Lammy gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të partisë Laburiste.
Ndërsa, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se një përshkallëzim rajonal ushtarak nuk është “në interesin më të mirë” të Izraelit.
“Ne nuk besojmë se përshkallëzimi i këtij konflikti ushtarak është në interesin e tyre më të mirë,” tha Kirby për ABC, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “po ia thonë këtë drejtpërdrejt homologëve tanë izraelitë”.