BE-ja dhe Britania pajtohen për raportet e tyre pas Brexitit
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka bërë me dije se Britania dhe Bashkimi Evropian (BE) janë pajtuar në parim për një deklaratë që përshkruan marrëdhëniet e tyre të ardhshme, e cila mund të miratohet nga udhëheqësit e bllokut gjatë një samiti të ardhshëm.
Britania e Madhe do ta braktisë anëtarësimin në Bashkimin Evropian më 29 mars 2019 dhe diplomatët po provojnë të formësojnë një marrëveshje mbi kushtet e daljes dhe një skicë të raporteve ndërmjet tyre pas këtij procesi, në mënyrë që BE-ja ta miratojë atë gjatë samitit më 25 nëntor 2018.
“Presidenti i Komisionit (Jean-Cloude Juncker) më njoftoi se është rënë dakord në nivel të negociatorëve si dhe në nivelin politik” ka deklaruar Donald Tusk, duke shtuar se teksti i marrëveshjes është diskutuar nga presidenti Juncker dhe kryeministrja britanike, Theresa May më 21 nëntor.
Draft-deklarata e raporteve ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe pas Brexitit, pritet të shqyrtohet nga përfaqësuesit e 27 vendeve të BE-së.
“Palët parashikojnë të kenë një marrëdhënie tregtare për mallrat me qëllim të lehtësimit të tregtisë legjitime” është thënë në draft-deklaratën.
Periudha e tranzicionit të cilën Brukseli dhe Londra shpresojnë të fillojë kur Britania largohet nga BE-ja mund të zgjasë deri në një ose dy vjet.