BE-ja dhe OSBE-ja kërkojnë transparencë nga partitë politike

04 tetor 2018 | 14:07

Zyra e BE-së dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë kërkuar nga partitë politike që të jenë më llogaridhënëse dhe transparente.

Në punëtorinë me temën “Financimi i Partive Politike”, të organizuar nga BE-ja dhe OSBE-ja, zyrtarë e këtyre misioneve kanë deklaruar se deri me tani subjektet  politike kanë dështuar të sigurojnë llogaridhënien.

Riccardo Serri nga Zyra e BE-së ka përmendur të gjeturat e auditorit në zgjedhjet e fundit dhe transparencën e partive politike, duke  thënë se ato nuk janë aspak inkurajuese. “Në Kosovë ka nevojë urgjente për të kontrolluar financat politike, transparencat mbi donacionet dhe shfrytëzimin. Disa probleme që janë gjetur, sepse po të shohim raportet e auditorëve, dhe besoj se shumica e juve e keni bërë këtë, ato gjetje janë goxha brengosëse. Sipas auditorëve të pavarur që kanë kryer këto shqyrtime, partitë politike kanë dështuar të sigurojnë llogaridhënien, raportim të brendshëm, raportim financiar dhe përputhshmëri me kërkesat ligjore sa i përket financave të tyre”, ka thënë Serri.

Kurse, drejtor i Departamentit të Demokratizimit në OSBE, Christopher Tuetsch, ka pasur një rekomandim për gjobat e vendosura nga KQZ dhe PZAP.

“Dënimet për partitë politike nuk duhet zbritur nga fondi që ndahet nga buxheti Kosovës apo ndonjë fond që ndahet për partitë politike, përndryshe ky nuk është dënim sepse ky paguhet nga shoqëria”, ka thënë Tuetsch.

Ndërsa, Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar se ndryshimi i Ligjit Për Zgjedhjet do të mund të rregullonte transparencën në parti politike. “Unë kisha dashur të potencojë rëndësinë që ka miratimi i këtij ligji. Ky ka qenë rekomandimi edhe i vëzhguesve ndërkombëtar pasi që vërejtja kryesore ka qenë ajo se partitë politike nuk kanë qenë transparente”, ka thënë Daka.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka…