BE-ja dhe qeveria ‘përplasen’ për masat ndaj Kosovës
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i është përgjigjur një kërkese të kryeministrit Kurti i cili gjatë Samitit të Procesit të Berlinit iu bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën. Sipas zëdhënësit Stano, nuk është në përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës e as kryeministrit që të vendos për masat.
“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare. Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një Deklaratë në emër të BE-së, e pasuar nga raporti i HRVP-së për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, tha Stano.
Kjo përgjigje e zëdhënësit të BE-së nuk i ka pëlqyer zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziu. Ai tha se e kanë të qartë se kompetencë e kujt është heqja e masave prandaj kryeministri Kurti i ka kërkuar BE-së që të marrin një vendim.
“Së pari ne të gjithë e dimë që Kosova nuk merr vendime për Bashkimin Evropian. Askush në Kosovë nuk po pretendon të kundërtën. Kryeministri Kurti në të gjitha takimet e tij me liderë evropianë dhe vendimmarrës në Bashkimin Evropian me të drejt kërkon largimin e masave sepse ato nuk reflektojnë as arsyet për të cilat janë vendosur e as situatën në terren”, tha Kryeziu.
Për më tepër që nga qershori i këtij viti ka një raport të Përfaqësuesit të Lartë BE-së, Josep Borrel në të cilin kërkohet që masat ndaj Kosovës të largohen. Pas deklarimit dhe vlerësimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, nuk është më çështje se a duhet apo jo të largohen masat ndaj Kosovës apo kush i largon ato, por pse ato nuk po largohen. Kjo është pyetja për të cilën duhet të japë një përgjigje Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrel, respektivisht z. Stano dhe Bashkimi Evropian” .
Deputeti i partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu, konsideron se BE-ja nuk ka pasur arsye që t’i vendos masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Sipas tij, mos heqja e masave shpërfaqë mungesën e unitetin brenda vendeve të BE-së dhe jo mos plotësimin e kushteve nga Qeveria.
“Heqja e masave nuk ka ndodhur jo për shkak se BE-ja ka mëndyshje për atë, po ka disa vende skeptike. Kjo gjendje nuk do të zgjatë shumë”, tha Lahu.
Mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese, sipas Odës Ekonomike të Kosovës i kushton Kosovës humbje milionëshe. Kryetari i OEK-ut, Lulëzim Rafuna ka thënë se sipas të dhënave që posedojnë, vlera e projekteve që janë bllokuar si rezultat i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian është rreth 300 milionë euro.
Megjithëse janë bërë disa muaj nga raporti i Josep Borrellit, i cili rekomandon largimin e masave ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në vitin e kaluar, Bashkimi Evropian nuk ka bërë lëvizje në drejtim të heqjes së tyre./rtv21