BE-ja dhe UNICEF-i dorëzojnë pajisje të IT-së për qendrat për punë sociale

08 gusht 2022 | 14:15

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, u kanë dorëzuar të hënën në Prishtinë 230 pajisje tabletë punëtorëve social të 40 qendrave për punë sociale që veprojnë në Kosovë.

Furnizimi me këto pajisje të TI-së është një nga aktivitetet e projektit të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga UNICEF-i me vlerë 5 milionë euro, gjë që po ndihmon në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë Covid-19 në jetën e fëmijëve dhe familjeve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Këta tabletë do t’u mundësojnë punëtorëve social të ofrojnë përgjigje më të mira dhe më të shpejta ndaj nevojave të fëmijëve dhe prindërve të tyre, duke përfshirë edhe komunikimin në internet, si dhe mësimnxënien praktike në punë.

“Punëtorët social janë shpesh pika e parë e kontaktit për anëtarët më të cenuar të shoqërisë dhe luajnë një rol kyç për të siguruar që atyre t’u ofrohet mbrojtja e duhur. Prandaj, është e rëndësishme që t’i kenë kapacitetet e nevojshme teknike për të reaguar me efektivitet për secilin rast”, ka thënë Szunyog, duke shtuar se furnizimi i sotëm me pajisje të IT-së shërben si mbështetje e mëtejshme e digjitalizimit të administratës publike në Kosovë dhe do t’i ndihmojë punëtorët social të kenë qasje në platformat online të zhvilluara me ndihmën e BE-së për mbështetje teknike dhe menaxhim të rasteve. “BE-ja, së bashku me partnerët e saj, do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet institucionale të Kosovës për të ofruar mirëqenie të barabartë dhe adekuate duke mos lënë askënd anash”, ka theksuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku e…