BE-ja dhe UNICEF-i lansuan një fushatë publike për ta promovuar përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë

20 shtator 2023 | 14:27

Sot, si pjesë e iniciativës së financuar nga Bashkimi Evropian, UNICEF-i në Kosovë lansoi një fushatë të re për ta rritur ndërgjegjësimin e publikut për barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për të bërë thirrje për realizimin e plotë të të drejtave të tyre. Kjo fushatë është pjesë e projektit tre vjeçar ‘Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë’ të zbatuar nga UNICEF-i, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Fushata, e cila do të zgjasë 22 muaj, online dhe me aktivitete fizike në komunat në mbarë Kosovën, në partneritet me zyrën për Qeverisje të mirë, avokon për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara me fokus të veçantë në rritjen e qasjes në hapësirat publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre. Fushata gjithashtu synon ta rrisë ndërgjegjësimin për Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i cili do të jetë një reformë e rëndësisë së madhe në Kosovë, nëse miratohet.

Pika kryesore e kësaj fushate do të jetë zbulimi i një instalacioni simbolik në formë “nyje” i dizajnuar për t’i përfaqësuar sfidat e shumta dhe të ndërlidhura me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë. I hapur për publikun për një javë në qendër të Prishtinës, ky instalacion do të shërbejë si një platformë e dukshme dhe e fuqishme për prindërit dhe fëmijët për të kërkuar ndryshim dhe për ta promovuar përfshirjen brenda komuniteteve të tyre.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin prindërit, fëmijët, si dhe të ftuar të tjerë nderuar, përfshirë Znj. Emilija Redžepi, Zëvendës Kryeministre e Kosovës; Z. Johannes Madsen, Shef i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë; Z. Alban Zogaj , Nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe Znj. Nona Zicherman, Shefe e UNICEF-it në Kosovë.

“Gjatë fjalimit në këtë ngjarje, Z. Johannes Madsen, Shef i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, tha: ‘“Lansimi i kësaj fushate domethënëse sot është një rast i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, UNICEF-in dhe popullin e Kosovës. Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në zotimin tonë për ta promovuar përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke thyer barrierat dhe duke mbrojtur të drejtat e tyre.”’

“Ne i jemi mirënjohës Bashkimit Evropian në Kosovë për partneritetin e krijuar me ne për një kauzë kaq të rëndësishme. UNICEF-i dhe BE-ja ndajnë besimin se çdo fëmijë meriton mundësinë për t’u zhvilluar dhe për ta realizuar potencialin e tij të plotë, pavarësisht nga aftësitë e tyre, dhe ne u bëjmë thirrje prindërve, partnerëve zhvillimorë dhe vendimmarrësve që t’i bashkohen fushatës sonë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për ta siguruar përfshirjen e plotë të të gjithë fëmijëve në Kosovë”, tha znj. Nona Zicherman, Shefe e UNICEF-it në Kosovë.

UNICEF-i, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë, është i përkushtuar për të siguruar qasje të barabartë në arsimin gjithëpërfshirës dhe shërbime gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo përfshin punën me partnerët e shoqërisë civile për të ofruar programe gjithëpërfshirëse të zhvillimit në fëmijërinë e hershme dhe shërbime të tjera, trajnimin e profesionistëve të shërbimeve sociale, fuqizimin e qendrave të rehabilitimit të bazuara në komunitet dhe përmirësimin e cilësisë së të mësuarit për fëmijët me aftësi të kufizuara nëpërmjet sigurimit të mësuesve ndihmës të trajnuar dhe paisjeve ndihmëse.

.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GJILAN Adresa: Rruga e Prishtinës , Gjilan Euro Diesel: 1.47€…