BE-ja distancohet nga vizita e Orbanit në Moskë
Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë rritur distancimin e bllokut nga një vizitë befasuese e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në Rusi të premten.
Ai mbërriti në Moskë një javë pasi Budapesti e mori udhëheqjen gjashtëmujore të presidencës së BE-së dhe tri ditë pasi Orbani ia paraqiti Kievit një propozim për armëpushim.
Orbani dhe ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, mbërritën në Rusi të premten në mesditë, ku Orbani do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, sipas raportimeve, përfshirë sipas një burimi nga Qeveria hungareze, i cili i tregoi Radios Evropa e Lirë për planet e tij për vizitë.
Zëdhënësi i Orbanit e shpërndau një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet Orbani në tepihun e kuq në Moskë. “Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska”, shkroi ai.
Szijjarto e postoi një fotografi të veten duke zbritur nga avionin i Forcës Ajrore hungareze dhe shkroi: “Mbërritëm në Moskë. Një hap tjetër për paqe!”.
Një zyrtar i BE-së i tha “REL”-it se Orbani nuk e njoftoi Brukselin për asnjë vizitë të planifikuar në Moskë, ndërsa Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha në një komunikatë të premten se “kryeministri Viktor Orban nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për ta vizituar Moskën”.
Pak para se të udhëtonte për Moskë, Orban tha se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë.