BE-ja do ta mbështesë Kosovën në reforma dhe në rimëkëmbjen paspandemike
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja do ta mbështesë Kosovën në reformat e nevojshme në rrugën e saj drejt BE-së, si dhe në rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit.
Von der Leyen i bëri këto komente përmes një postimi në llogarinë e saj në “Twitter”, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të enjten në Bruksel.
“Jam mirënjohëse që ai [Hoti] e zgjodhi Brukselin për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit”, ka shkruar von der Leyen.
Hoti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit në fillim të këtij muaji, tha se institucionet e Kosovës kanë shënuar rezultate të prekshme në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së dhe shfaqi shpresën se ”BE-ja do ta marrë parasysh këtë”.
“Ne jemi të përkushtuar për një qeverisje të mirë dhe transparente”, shkroi Hoti në llogarinë e vet në “Twitter”.
Good discussion with @Avdullah Hoti. Grateful he chose Brussels for his first trip abroad. We will support 🇽🇰Kosovo in the necessary reforms on its path to the EU and in post-pandemic recovery. pic.twitter.com/mdDNIRTDFC
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) June 25, 2020