BE-ja do të kërkojë heqjen e tarifës dhe dialog për ushtrinë
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor, gjatë takimit të fundit për këtë vit.
Presidenca austriake pret që ministrat, të reflektojnë në temat siç janë: raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe efektin e tyre të mundshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Në këtë drejtim, burime diplomatike nga BE-ja, kanë bërë me dije se ministrat e jashtëm, do të diskutojnë për tarifën e vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, si dhe paralajmërimet e Prishtinës për votimin e ligjit për transformimin e FSK-së në ushtri.
“BE-ja ndan mendimin e njëjtë me NATO-n sa i përket formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tyre duhet të jetë rezultat i një procesi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ndryshimet kushtetuese”, ka thënë një burim i BE-së, për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë”.
Diplomatët e BE-së kanë theksuar se për ushtrinë, duhet të pyetet edhe Beogradi zyrtar. Sipas tyre, nëse për formimin e saj nuk ka pajtim nga ana e Beogradit, atëherë kjo çështje do të duhej të zgjidhej në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.
Gjithashtu, ministrat pritet t’i bëjnë thirrje edhe njëherë Prishtinës të tërheqë vendimin për tarifën, pasi ky veprim, siç thonë në Bruksel “e ka komplikuar edhe më shumë situatën dhe është në kundërshtim me marrëdhëniet e mira fqinjësore”.