BE-ja do të përkrahë ndërmarrjet dhe organizatat e shoqërisë civile me 3.5 milionë euro
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova është ekonomi në zhvillim me rritje mesatare të bruto prodhimit vendor (BPV) prej 4.2 për qind në pesë vitet e fundit, që është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Por duke pasur parasysh rritjen e popullsisë prej rreth 2 për qind çdo vit, përmirësime të tilla në rritjen për frymë banori në Kosovë janë të parëndësishme.
Popullsia e Kosovës përllogaritet në rreth 1.793,467 banorë, ku popullsia në moshë pune prej 1.202,982 përfaqëson rreth dy të tretat e popullsisë totale.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), edhe tani Kosova ka një nga shkallët më të larta të papunësisë në rajon në 30.5 për qind dhe gjithashtu, 63.5 për qind e grave në fuqinë punëtore janë të papunësuara. Faktori gjinor është gjithashtu një tregues i rëndësishëm se gratë në pozitë të pafavorizuar në krahasim me meshkujt në të gjitha nivelet e arsimimit, pra kanë më shumë gjasa të bëhen apo të mbeten të papunësuara.
Për më tepër, edhe personat me aftësi të kufizuara përballen me kufizime që ndikojnë dukshëm në statusin e tyre të punësimit dhe një përqindje e madhe e tyre janë të papunësuar.
Pavarësisht faktit se 43 për qind e personave me aftësi të kufizuara (PAK) shfaqin interesim ose kanë potencialin të zhvillojnë shkathtësitë e tyre, sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale shkalla e punësimit të personave me aftësi të kufizuara (PAK) është 6,47 për qind.
Në reagim ndaj këtyre nevojave të menjëhershme për punësim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dizajnuar dhe lansuar skemën e granteve prej 3.5 milionë euro, të titlluar: “Përmirësimi i qasjes në tregun e punës për grupet e pafavorizuara përmes ndërmarrjeve sociale dhe masave aktive të tregut të punës”.
Kjo skemë e granteve synon të mbështesë masa aktive shtesë për tregun e punës, si përkrahje e përshtatur sipas nevojave për aftësim, trajnim në vendin e punës, praktikë dhe vetëpunësim, për grupet e pafavorizuara në Kosovë.
Gjithashtu, përmes kësaj mbështetjeje, BE-ja synon të përkrahë zhvillimin e ndërmarrjeve sociale si mundësi për krijimin e perspektivave për punës sidomos për grupet më të cenueshme në tregun e punës, meqë ndërmarrjet sociale u ndihmojnë interesave të komunitetit (objektivave sociale, të shoqërisë dhe mjedisore) dhe jo maksimizimit të përfitimeve.
Objektivat specifike të kësaj thirrjeje për propozime janë: Përkrahja për zhvillimin e ndërmarrjeve sociale në Kosovë; Përkrahja për avancimin e punësimit të grupeve të pafavorizuara, kryesisht gratë dhe të rinjtë.