BE-ja do të vendosë sanksione edhe ndaj 8 shtetasve rusë
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të ngrijnë pasurinë dhe të ndalojnë vizat për 8 rusë të përfshirë në rrëmbimin dhe burgosjen e 24 marinsave ukrainasë gjatë një incidenti në ngushticën e Kërçit në nëntor.
Sanksionet e mbështetura nga ambasadorët pritet të miratohen zyrtarisht javën e ardhshme, kanë bërë të ditur në kushte anonimiteti, zyrtarë të BE-së.
Pas këtij vendimi, 8 rusët do të shtohen në listën e BE-së si subjekte të cilët janë goditur me sanksione për minimin e integritetit territorial të Ukrainës.
Kjo listë përbëhet nga 163 individë dhe 44 entitete dhe u vendos pasi në mars të vitit 2014, Rusia mori kontrollin e rajonit të Krimesë në Ukrainë dhe mbështeti separatistët që luftonin forcat e Kievit. Nga kjo luftë janë vrarë rreth 13,000 njerëz që nga viti 2014./rel/