BE-ja do të vendosë sanksione ndaj Iranit
Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian (BE) do të takohen sot (e hënë) për të debatuar lidhur me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe për përpjekjet e bllokut për të mbështetur Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, pavarësisht se për këtë çështje ka rezistencë nga Hungaria.
BE-ja planifikon të godasë aktorët rusë dhe organizatat që akuzohen për destabilizimin e demokracisë së Moldavisë dhe sigurisë me sanksionet e reja para se Moldavia të mbajë një referendum kyç më vonë gjatë këtij muaji për anëtarësim në bllok.
Blloku po ashtu dëshiron të ndëshkojë Iranin për shkak të furnizimit të Rusisë me raketa balistike, të cilat Moska i përdor kundër Ukrainës.
Sanksionet e BE-së do të miratohen më 14 tetor dhe ato do të shënjestrojnë kompani dhe individë të përfshirë në programin e raketave balistike të Iranit, dhe dërgimin e këtyre dhe armëve të tjera në Rusi.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe Bashkimi Evropian, së bashku me shtete të tjera, ndihmojnë financiarisht dhe me pajisje ushtarake Kievin, me synim që të mposhtë forcat ruse. /REL