BE-ja e konfirmon se Kurti dhe Vuçiqi janë ftuar në Bruksel
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë ftuar në Bruksel.
Po ashtu, ai ka deklaruar se veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme në situatën në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.
“Bashkimi Evropian po e përcjell për së afërmi dhe me shqetësim situatën në veri të Kosovës”.
“Të gjithë që janë të përfshirë duhet të rrinë të qetë, dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe njëanshëm që e rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes të të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë.
“E vetmja mënyrë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të afërt edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, për qetësimin e tensioneve, dhe në koordinim të afërt me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Stano për “Klankosova.tv”.
Stano ka konfirmuar se BE-ja i ka ftuar të dyja palët në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën, duke shtuar se propozimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell, e kishte propozuar shtyrjen e masave dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin kishte mbështetur plotësisht.
“Pasi Kosova ka pranuar kërkesën e përfaqësuesit të lartë/zëvendëspresidentit Borrell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i shtyrë masat e planifikuara lidhur me targat dhe letërnjoftimet, për heqjen e të gjitha barrierave, BE-ja i ka ftuar të dyja palët në Bruksel për ta diskutuar rrugëtimin përpara”.
“Të gjitha problemet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
“Përqendrimi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e që është thelbësore për rrugët përkatëse të integrimit”.
“Propozimi i përfaqësuesit të lartë/zëvendëspresidentit Borrell ishte për shtyrjen e masave për targa dhe letërnjoftime dhe për t’u takuar ndërkohë në Bruksel për të diskutuar rrugëtimin përpara”.
“Propozimi u mbështet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Stano.